Në AAB u promovua libri “Mashtrimi i madh” i autorit Bardhyl Mahmuti

Gazeta KNN | E Mërkurë, 09 Dhjetor 2015 - 14:53

Para studentëve të Kolegjit AAB, Bardhyl Mahmuti promovoi librin e tij “Mashtrimi i madh”, një libër që trajton gjenocidin serb në Kosovë dhe manipulimet e mashtrimet në opinionin ndërkombëtarë.

Në prezantimin e këtij libri, organizatori Fatmir Arifi, ka tha se autori ka pasur për qëllim të dëshmojë se në Kosovë pati gjenocid. Sipas tij, libri i Mahmutit ka vlerë të madhe historike e juridike dhe se autori zhvillon polemikë me autorë të ndryshëm botëror.

Ndërsa, ish-ministri i Arsimit, Ramë Buja në fjalën e tij tha se libri “Mashtrimi i madh” është i sistemuar në dy pjesë në dhjetë kapituj dhe se veçantia e kësaj vepre është se të gjithë kapitujt kanë prologun dhe epilogun e tyre, duke sjellë fakte të pakontestueshme në prologun dhe duke e përmbyll me epilogun shumë sqarues.

“Ky libër që është i pashoq në librarinë faktike kosovare dhe gjithëshqiptare karakterizohet me dendësinë e dëshmive argumentuese dhe bindëse përmes dëshmitarëve okularë dhe aktorëve të veprave vrastare të kryera në Kosovë”, u shpreh Buja.

Ai tha se te libri “Mashtrimi i madh” është veçantia dalluese që mrekullon lexuesin nga forma e nxjerrjes së fakteve jo nga personazhet pësues të makabritetit, por nga ata që kanë shkaktuar këtë tragjedi.

Ndërkaq, autori i librit Bardhyl Mahmuti, tha se është munduar të tregojë se qëllimi i luftës në Kosovë ka qenë aplikimi i gjenocidit nga ana serbe.

“Çfarë fakte përdorën Dick Marty, Carla del Ponte dhe dhjetëra personalitete të tjera, në çfarë burime informative u mbështetën ata, dhe shumë detaje të tjera që janë të shkruara në libër”, sqaroi Mahmuti.

Për të gjetur përgjigjen, autori thotë se ka studiuar dhjetëra libra, qindra artikuj e dokumente.

Sipas Mahmutit, çdo gjë nisi kur në vitin 2013, Pierre Pean, një intelektual francez, botoj librin “Kosova një luftë e drejtë’ për një shtet mafioz”.

“I shqetësuar me faktin se opinioni publik ushqehet me të pa vërteta, shkova në Bibliotekën Universitare të Lozanës, aty ku i kam përfunduar studimet në shkencat politike. Pash rafte të tëra, publikime në disa gjuhë, frëngjisht, gjermanisht, italisht, të gjitha për Kosovën, dhe për fat të keq nuk kishte asnjë titull që do të kishte qenë neutral, i paanshëm, por të gjitha pa përjashtim, ishin vepra, libra, vepra të cilat e stigmatizonin luftën e UÇK-së, sikur të ishte një luftë kriminale, një luftë e padrejtë, sikur të ishte një luftë e nxitur nga jashtë me qëllim që të krijohen konjektura të reja në Ballkan. Kjo më nxiti që t’i qasem një hulumtimi shkencor, dhe ta analizojë globalisht krejt këtë mashtrim të madh që bëhet me opinionin publik lidhur me aspiratat e popullit shqiptarë, lidhur me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të nxjerrë në sheh se realiteti është krejt ndryshe nga ajo çka propagandohet”, tha ai.

Në libër, autori pjesën e parë ia kushton të dhënës duke analizuar në mënyrë shkencore se në Kosovë pati gjenocid. Ai në këtë libër flet edhe për dhunimet seksuale dhe qëllimin e pushtuesit që të shkatërrohen shqiptarët. Ai në libër nxjerr se gjenocidi është krimi më i rëndë, më i rëndë se masakra e dëbimi, e rëndë është edhe fshehja e krimit. Një vend me rëndësi në librin e Bardhyl Mahmutit zë edhe lufta që u bë kundër pavarësisë së Kosovës, sikurse që ai ka trajtuar edhe elementin e dyshimit për trafikim organesh dhe se si në Këshillin e Evropës klani serbo-rus sponsorizoi nismën për hetime të tilla.

Në fund të këtij prezentimi pati edhe një debat ku studentët e Kolegjit AAB parashtruan pyetje të cilave iu përgjigj autori i librit “Mashtrimi i Madh”.

Bardhyl Mahmuti ishte pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1981, i dënuar me disa vite burgim e pas daljes nga burgu emigroi në Zvicër, ku ishe një ndër udhëheqësit e LPK-së, derisa gjatë luftës në Kosovë ishte përfaqësues politik i UÇK-së në Evropë. Ai kishte mbajtur 27 konferenca në Kombet e Bashkuara, derisa pas luftës ishte i angazhuar në jetën politike në Kosovë, por edhe në Maqedoni. Ai me profesion është politolog, i magjistruar në Universitetin e Lozanës në Zvicër dhe është njohës i shumë gjuhëve të huaja./GazetaKNN

Top