Dy vepra të reja letrare - “Materia e zezë” e “Kontraste letrare” me autor Bujar Tafa

Gazeta KNN | E Premte, 08 Prill 2016 - 16:18

Shtëpia Botuese e Kolegjit AAB, këto ditë i botoi dy vepra letrare të Bujar Tafës - “Materia e zezë”(poezi), dhe “Kontraste letrare”(studime).

Te libri me poezi “Materia e zezë”, poeti, duke u nisur sa nga motivet e mëdha si, materia e zezë e universit, ashtu siç është edhe titulli figurativ i kësaj përmbledhje, pastaj te gjenetika e njeriut, mistika religjioze e për të vazhduar pastaj te globalizmi si trend i shoqërisë moderne, nëpërmjet poezive ai i shpreh në vazhdimësi idetë dhe, si të thuhet, atë shqetësimin e tij për natyrshmërinë e njeriut modern, me saktë, për dilemat e mëdha, që e rrethojnë njeriun e kësaj kohe. Poezitë e kësaj përmbledhje në përgjithësi, si edhe poezitë e tij të mëhershme, i karakterizon, para së gjithash, gjuha e veçantë figurative, ku si duket mbizotëron ironia. E veçanta tjetër te këto poezi është se poeti krijon situata të veçanta poetike, unike, nga të cilat situata ai ndërton, gjithmonë poetikisht, momente të reja, të papara më herët, në konceptimin e realitetit jetësor. Kjo është ajo që e thekson modernen te këto poezi.

Ndërkaq, te vepra “Kontraste letrare”, poeti ka thënë se tendenca për të parë njeriun jashtë autoriteteve e jashtë konvencave të ndryshme, me kohë është bërë si një formulë a klishe, nga të cilat shkrimtarët synojnë shpesh të dekonstruktojnë qenësisë njerëzore. Bujar Tafa shtonë se në një mënyre ose në një tjetër provokohet formësimi tradicional i njeriut, përfshirë religjionin, moralin e autoritetet e tjera, që karakterizojnë njeriun e kohën sonë.

Përmbledhja me poezi “Materia e zezë” i ka gjithsej 82 faqe, me recensent Naile Demirin, ndërsa te vepra studimore “Kontraste letrare” janë përfshirë shkrime për katërmbëdhjetë autorë, shtatë shqiptarë dhe shtatë të huaj, me gjithsej 188 faqe.

Te dy veprat tanimë gjendet në Bibliotekën e AAB-së, nga mund të shfrytëzohen nga lexuesit e interesuar. Dr. Bujar Tafa, është profesor universitar. Deri më tash ka botuar disa tituj të librave si: Poezia e Agim Spahiut, Krijimtaria letrare e Mikro Gashit, Biografemat dhe ideografemta (Interpretim i librit poetik Lum Lumi), Parapoezi, Materia e zezë dhe Kontraste letrare.

Top