Opinione

Arrestimet pa pranga

Shkruan: Lulzim Tafa

Përjashtimisht veprave penale të kapura në flagrancë (në kryerje e sipër) dhe vetëm kur ajo është e domosdoshme, askujt nuk mund t’ i vendosen prangat në rast se ai person nuk e ka përdorur forcën (duart) gjatë kryerjes së një vepre penale ose nuk ka ikur nga ndekja penale apo nuk ekziston rreziku i kjes.

Pse lidhet njeriu?

Njeriu mund të lidhet vetëm atëherë kur gjatë kryerjes së një vepre penale manifeston dhunë (forcë) andaj masa e prangimit është e domosdoshme për ta neutralizuar dhunën dhe forcën e atij çasti të manifestuar nga kryerësi i një vepre penale të caktuar mbi objektin e veprës penale. Poashtu edhe në rast se kryerësi i një vepre penale nuk i është përgjigjur në ftesë organeve të zbatimit të ligjit, pra, ka ikur nga drejtësia apo ekziston një rrezik, mirë i supozuar, që ai person ndaj të cilit ka filluar ndjekja penale do të ikë. Duart pothujase janë organet-gjymtyrët kryesore me të cilat një person e kryen një vepër penale me karakter apo kualifikim të dhunshëm. Jo të gjitha veprat penale janë të dhunshme, madje shumica nuk janë.

Përjashtimisht veprave penale kundër jetës dhe trupit si: vrasja, lëndimi i rëndë trupor, lëndimi i lehtë trupor, pjesëmarrja në rrahje, etj., apo veprat penale nga kapitulli i veprave penale kundër intergritetit seksual, si: dhunimi apo vepra penale “Pengim i personit zyrtar”, veprat penale kundër pasurisë, si: grabitja, vjedhja, detyrimi, etj., dhe veprat penale që kanë të bëjnë me terrorizmin e dhunshëm apo krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, dhunës në familje e të ngjashme, për asnjë lloj tjetër të veprave penale ku nuk është përdoruar forca nuk ka arsye që të prangoset njeriu.

Pra, efekti apo ideja e prangosjes është që njeriut të dhunshëm t’ i pasivizohen duart si gjymtyrët kryesore, që të mos ushtrojë dhunë dhe që i njëjti të mund të transportohet pa penguar qoftë në gjykatë apo në burg. Legjislacioni duhet të përcaktojë qartë se te cilat lloje të veprave penale duhet të zbatohet masa e prangimit.

Çka janë prangat?

Sipas asaj që thonë fjalorët, prangat janë hallka hekuri për t’ i lidhur duart një të arrestuari a një të burgosuri; historikisht është e njohur si zinxhir me të cilin u lidhnin këmbët e duart skllevërve, edhe pak më thjeshtë (gjithherë sipas fjalorëve) diçka që të mban të lidhur, të mbërthyer a të ndrydhur dhe të pengon të veprosh.

Rusoi (Zhan Zhak Ruso) një filozof dhe luftëtar për barazi dhe ligj thotë se “njeriu lind i lirë, por kurdo ai është në pranga”. Rusoi u pëlqen të gjithëve sidomos filozofëve dhe pasionantëve të saj, madje Kanti thoshte se roli i tij në filozofinë morale është i barabartë me atë të Njutonit në fizikë. Mbase në vlerësimin tim ky admirim i Kantit gati deri në adhurim për Rusoin do t’ i ketë ardhur nga koncepti i tij për ligjin dhe librin e tij ”Kontrata Sociale”, pavarësisht se përkufizimet e tij për ligjin janë të natyrës filozofike e më pak juridike, edhe pse ndryshimi është fare i vogël, ngase edhe në aspektin juridik ligjet janë humane dhe shërbejnë ngjajshëm si në përkufizimet e Rusoit. Njësoj është edhe dënimi. Nëse ligji është human atëherë edhe dënimi duhet të jetë human sepse buron nga ligji. Që do të thotë se dënimi nuk duhet të manifestojë mundim e as përbuzje të delikuentit sepse humanizmi është ndër karakteristikat kryesore të dënimit.

Ajo që është më e keqja, është se prangat i vendosen edhe njeriut ende të pa dënuar, që sipas legjislacioneve penale bashkëkohore dhe kushtetutave të vendeve demokratike të shumicës së shteteve në botë, por edhe të konventave ndërkombëtare, konsiderohet i pafajshëm, pra derisa një gjykatë kompetente me juridiksion nuk jep aktgjykim të formës së prerë.

Po çka është dënimi dhe si e përkufizon atë legjislacioni penal. Dënimi është masë represive që zbatohet ndaj kryerësve të veprave penale. Edhe prangat janë masë represive (në vlerësimin tim).

Por a është e drejtë që prangat të përdoren për qëllime të përuljes dhe poshtërimit të personit që vetëm supozohet se ka kryer një vepër penale, posaçërisht në fazën e të ashtuquajturit “Prezumimit të pafajësisë”, mendoj se jo.

Ka kohë që jam duke shfletuar literaturë e ligje të Kosovës (përfshirë edhe Ligjin për Policinë) por edhe të vendeve të rajonit të BE-së e më gjerë që lidhet me këtë çështje. Të them të drejtën as mbështetje e as bazë ligjore për prangim nuk po gjej, përjashtimisht asaj që quhet “siguri për policët”, në ndonjë akt nënligjor apo rregullore të brendshme. Përkundër mirëkuptimit për punën që e bëjnë polica në mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve, megjithatë prangimi i njeriut pa qenë nevoja është i papranueshëm. Fundi i fundit janë disa profesione siç është edhe ky i policisë që janë të detyruar, apo së paku duhet të jenë të detyruar që t’ i ekspozohen rrezikut.

Pra, për ta thjeshtësuar edhe më shumë, njeriu nuk duhet të prangoset, nëse nuk ka ushtruar forcë në kryerjen e një vepre penale, nuk ka ikur nga drejtësia dhe nuk ekziston rreziku i ikjes.

Ligji duhet të përcaktojë saktë se cilat vepra penale dhe në cilat raste mund të përdoren prangat, në asnjë rast tjetër njeriu nuk duhet të lidhet. PIKË.

(Autori është Profesor i së Drejtës Penale)