Aktuale

Arrestohen dy persona, dyshohen se transplantuan organe

Policia raporton se dje në Prishtinë ka arrestuar dy persona, një turk dhe një shqiptare nën dyshimin se janë të përfshirë në veprën penale transplantim i kundërligjshëm dhe trafikim i organeve dhe qelizave njerëzore.

Siç njoftohet arrestimin e ka kryer njësiti i hetimeve të departamentit për krime të rënda i Policisë së Kosovës.

“Të arrestuar janë dy të dyshuar, një mashkull turk dhe një femër shqiptare shtetase e Shqipërisë nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën e lartcekur”, thuhet në raportin ditor të policisë.

Bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Kujtojmë se edhe muaj më parë ka pasur disa të arrestuar tjerë që dyshohen se kryenin transplantim të kundërligjshëm dhe trafikim të organeve dhe qelizave njerëzore.

Madje, më muajin qershor katër spitale private janë bastisur në Prishtinë nën dyshimin se aty kryheshin veprat e lartcekura. Pas bastisjeve policore dhe të gjeturave aty, Inspektorati Shëndetësor edhe ua pati ndërprerë përkohësisht punën këtyre reparteve brenda spitaleve./FaktePlus

the authorBurbuqe Metolli