Aktuale

Arrestohen pesë persona për kontrabandë me barna

Policia e Kosovës, respektivisht sektori i hetimeve të departamentit të Policisë kufitare të asistuar nga njësitë tjera relevante policore, në bashkëpunim me Doganat e Kosovës dhe Inspektoratin Shëndetësor, kanë realizuar një operacion policor të bastisjeve në tri regjione të ndryshme.

Operacioni është shtrirë në regjionin e Prishtinës, Ferizajt dhe të Gjilanit, duke përfshirë 18 lokacione të ndryshme.

Si rezultat i operacionit policor, në cilësinë e personave të dyshuar janë arrestuar pesë persona;

A.M., E.R., S.I. , D.A. dhe A.A.

Këta persona dyshohet se në mënyrë të organizuar dhe bashkëpunim kanë kontrabanduar barna të ndryshme duke dëmtuar buxhetin e Kosovës, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve dhe duke konsumuar kështu veprat penale: “Kontrabandim me mallra”, Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore” , si dhe ”Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike .

Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe konfiskuar sasi e konsiderueshme e barnave të pa kontrolluara dhe të pa verifikuara me prejardhje kryesisht nga Serbia, të cilat dyshohet se janë të kontrabanduara në mënyrë ilegale për në Republikën e Kosovës.

Dy nga te arrestuarit janë punonjës të shëndetësisë, dhe të njejtit dyshohen se kanë konsumuar veprën penale “Shpërdorim i detyrës zyrtare”.