Aktuale

Arrestohet i dyshuari i dytë për vjedhjen e arkës me para për skamnorët

Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një të dyshuar në lidhje me vjedhjen e arkës me para për familjet skamnore të vendosur në një furrë të bukës në Drenas.

Burimet e Indeksonline brenda Policisë së Kosovës kanë thënë deri më tani në lidhje me këtë vjedhje janë arrestuar dy persona.

“Lidhur me rastin e vjedhjes që ka ndodhur me 30 maj në orën 21 e 30 minuta në Drenas në një furrë të bukës, të mërkurën është identifikuar dhe është arrestuar edhe një i dyshuar tjetër dhe i njëjti me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, kanë deklaruar zyrtarët policor.

Ditë më parë për këtë rast ishte arrestuar edhe i dyshuari i moshës 46-vjeç, me inicialet V.A., nga Prishtina. Ky i fundit ka dalë menjëherë para trupit gjykues ku edhe ka marrë dënimin me burg për veprën e kryer.

Kjo vjedhje kishte ngjallur reagime të shumta pasi paratë e mbledhura ishin të destinuara për familjet skamnore.

Video e kësaj vjedhje kishte bërë gjiro në portale dhe rrjetet sociale dhe pas shpërndarjes së madhe, sot të dyshuarit ndodhen prapa grilave derisa hetimet në lidhje me rastin ende janë duke vazhduar./Indeksonline/