Arsim & Kulturë

Arsim Bajrami: Për Kushtetutën, Asociacioni do të jetë problem shumë më i madh se sa Demarkacioni

Për nderë të “9 Prillit” – 10 vjetorit të Ditës së Kushtetutes së Kosovës, Kolegji AAB dhe Instituti për Studime Kushtetuese dhe Parlamentare (ISKP), mbajtën tryezë tematike në temën “10 vjet Kushtetutë”.

Të pranishëm në këtë tryezë ishin personalitete të drejtësisë në Kosovë si dhe anëtarët e Komisionit për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa në fjalën e tij tha se Kushtetuta e Kosovës është njëra ndër kushtetutat më të mira në botë.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës me 162 nenet e saj të shpërndara në 14 kapituj është ndër kushtetutat më të mira jo vetëm në rajon, por edhe në evropë dhe më gjerë”, tha ai.

Ndërsa, njëri ndër hartuesit e Kushtetutes së Kosovës, Arsim Bajrami, tha kanë qenë të vetëdijshëm që kjo kushtetutë ka një dimension historik dhe specifik, dimension të krijimit të shtetit Kosovës, dhe për herë të parë, fillimit të një epoke të re pas pavarësisë së Kosovës.

“Nuk ishim krejtësisht të lirë në draftimin, pasi që megjithëatë ne kishim një bazë juridike në Planin e Ahtisarit, një e treta e Kushtetutës u derivonte nga ky plan dhe e jona ishte që nga një anë të implementojmë marrëveshjen e Ahtisarit, por në anën tjetër të krijojmë një shtet funksional i cili nuk do të ishte kopje e Bosnjës, por do të mundësonte funksionalitetin e shtetit të Kosovës”, u shpreh Bajrami.

I pyetur për shkeljet kushtetuese që janë bërë me kalimin e Demarkacionit, Bajrami tha se ky rast është dërgur në Kushtetuese, mirëpo sipas tij, Asiciacioni është një problem edhe më i madh se Demarkacioni.

“Demarkacioni ka shkuar në kushtetuese dhe presim vendimin e kësaj të fundit. Gjykata Kushtetuese nuk do ta luajë rolin e katastrit, por do të shqyrtojë procedurat se a ka pas vendime formale. Për mua ajo që është më shqetësuese së Demarkacioni është Asociacioni. Për mendimin tim, Asociacioni është një problem shumë më i madh se sa Demarkacioni dhe një problem që po na pret në këta muajt e ardhshëm dhe uroj që ky mekanizëm të dalë plotësisht nga Plani i Ahtisarit dhe të themelohet plotësisht sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese së Republikës së Kosovës”, vlerësoi Bajrami.

Ndërkaq, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tregoi se a janë arritur te realizohen të gjitha funksionet e Kushtetutes nga koha kur është hartuar, e deri më sot.

“Duke vlerësuar peshën e përgjegjësisë institucionale dhe angazhimin e hartimit, zhvillimit dhe avancimit të politikave publike të fushës së drejtësisë, konsideroj që kemi ende shumë punë për të bërë që funksionet e Kushtetutës për të fuqizuar shtetin, për të mbrojtur lirinë dhe për t’i dhënë qeverisjes stabilitet do të vazhdojnë të mbetën në epiqendrën e angazhimeve institucionale dhe shoqërore edhe në periudhat vijuese”, tha ministri Tahiri.

Kurse Kryetari i Komisionit për hartimin e Kushtetutës, Hajredin Kuçi, në fjalën e tij para studentëve të Kolegjit AAB bëri një premtim publik se, së bashku me bashkëhartuesit e Kushtetutes do ta bëjnë një libër ku do t’i përmbledhin të gjitha prapaskenat deri të finalizimi i aktit më të lartë juridik të vendit.

Gjithashtu, edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajziri, e cila ishte prezent në këtë tryezë, tregoi për hapin më të rëndësishëm që ka tani Gjykata Kushtetuese si dhe pasojat që mund t’i ketë ky hap.

“Hapi i ardhshëm dhe më i rëndësishëm tani për Gjykatën Kushtetuese është edhe konsolidimi i kësaj gjykate në këtë fazë të tranzicionit meqenëse për herë të parë pas gati 10 vite punë, kjo gjykatë do të shndërrohet në një institucion plotësisht vendor, me gjyqtarë plotësisht vendor. Kjo është një sfidë që duhet Kuvendi i Kosovës ta tejkalojë në një kohë sa më të arsyeshme meqenëse po nuk kryhet si obligim gjykata rrezikon të mbetet edhe pa kuorum” , tha Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.

Fjalën në këtë tryezë e mori edhe anëtarja e komisionit për hartimin e Kushtetutes, Xhyljeta Mushkolaj.

Ajo, duke folur për sfidat me të cilat është përballur kushtetuesja 10 vjet pas miratimit, tha mes tjerash edhe pse ka shumë kritika për vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të gjithë i respektojnë ato vendime.

Në fund të kësaj tryeze u zhvillua edhe një debat, ku studentët e Kolegjit AAB parashtruan pyetje të cilave iu përgjigjën panelistët e lartpërmendur.
Kolegji AAB, krahas punës së përditshme, organizon shumë konferenca shkencore, tryeza dhe debate të rëndësishme për tematika të caktuara me interes për studentët tanë dhe opinionin publik.

Me qëllim të përmbushjes së nevojës për hulumtime të mirëfillta, Kolegji AAB ka themeluar Institutin për Hulumtime Shkencore, në kuadër të të cilit funksionojnë 10 qendra studimore: Qendra Hulumtuese për drejtësi dhe kriminalistikë – studime të sigurisë; Qendra për zhvillim dhe prognoza ekonomike; Qendra për hulumtimin e opinionit; Qendra për hulumtime sociale dhe gjuhësore; Qendra për hulumtime në sport; Qendra për hulumtime në arkitekturë dhe arte; Qendra kulturore; Qendra për karrierë dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës; Qendra për Infiermeri dhe Qendra për të drejtat e njeriut.

Poashtu së fundmi, Kolegji AAB ka bërë një marrëveshje integrimi me Institutin për Studime Kushtetuese dhe Parlamentare. /Gazeta KNN