Rajon & Botë

Austria do të bllokojë vazhdimin e negociatave BE -Turqi

Austria do të bllokojë vazhdimin e negociatave të pranimit të Turqisë në BE, tha ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, duke iu referuar shkeljes së të drejtave të njeriut në atë vend.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do të takohen të martën në Bruksel për të vendosur në lidhje me negociatat me Turqinë.

Kurz mendon se BE-ja duhet të pezullojë negociatat e pranimit të Turqisë, që është propozuar po ashtu nga Parlamenti Evropian.

“Njerëzit të cilët mendojnë ndryshe janë frikësuar, politikanët e opozitës janë arrestuar. Duhet një reagim i qartë nga BE-ja”, tha Kurtz në lidhje me zhvillimet në Turqi, në një deklaratë për agjencinë e lajmeve APA.

Ai ka deklaruar se qëndrimet e tij janë dakord me Bullgarinë dhe Holandën, ndërsa ka thënë se BE-ja nuk duhet të ketë frikë nga marrëveshja për emigrantët me Turqinë.

“Nëse ne e lejojmë që Turqia të bëjë çfarëdo që dëshiron, për shkak të marrëveshjeve për refugjatët, kjo do të bëhet e rrezikshme, e BE do jetë e varur nga Turqia”, tha Kurz.

Kurz ka qenë njëri nga kritikët më të ashpër në Evropë ndaj pushtetit të presidentit turk Erdogan, që nga fillimi i valës së tij të arrestimeve dhe të përndjekjeve të kundërshtarëve të tij, pas dështimit të grusht-shtetit në gushtë të këtij viti.