Aktuale

Azem Syla dërgohet në spital, shtyhet seanca

Nga ora 10:00 ishte paraparë të mbahet seanca ndaj ish-deputetit Azem Syla dhe të tjerëve, të akuzuar për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar në rastin “Toka”.

Por, ajo ende nuk ka filluar, për shkak të problemeve shëndetësore të të akuzuarit Azem Syla.“Pasi Azem Syla është dërguar në spital në orët e hershme të mëngjesit dhe në ora 10 e 45 do t’iu informojmë se si do të vazhdohet”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Pekto Petkov.

Ndryshe, një ditë më parë, ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla, i ishte vazhduar paraburgimi deri më 12 mars të këtij viti.Këtë e kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi, mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha.Përveç Azem Sylës, paraburgimi i ishte vazhduar edhe dy të akuzuarve tjerë, Ilaz Syla dhe Ljubisa Vujoviq.Azem Sylës, edhe më 5 dhjetor 2017, i ishte vazhduar kjo masë edhe për dy muaj, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi i EULEX-it, Arkadius Sedek, me arsyetimin se ekziston rreziku që tre të pandehurit të pengojnë procedurën që është duke u zhvilluar ndaj tyre.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.Bashkë me Sylën akuzohet edhe Shaban Syla, Ilaz Syla, Mexhid Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Edvard Gashi, Sabedin Haxhiu, Ramadan Uka, Avdyrrhaman Brajshori, Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj, Mustafë Haliti dhe Hajrullah BerishaAktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

Ndryshe, më 12,13 dhe 15 dhjetor 2016, ishte mbajtur seanca fillestare, në këtë rast, në të cilin Azem Syla dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohen.Pas seancave fillestare, mbrojtja brenda afatit prej 30 ditësh, kishte paraqitur kundërshtimet e tyre për provat dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës.Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arkadiusz Sedek, pasi kishte pranuar kundërshtimet e mbrojtjes, kishte refuzuar të njëjtat dhe më 4 prill 2017, kishte konfirmuar aktakuzën në shkallën e parë.Mbrojtja kishte vazhduar të kërkoi rrëzimin e aktakuzës së prokurorisë, duke iu drejtuar Gjykatës së Apelit, pas vendimit të gjykatësit Sedek për konfirmimin e aktakuzës, të cilin e ka konsideruar atë si vendim të padrejtë.Gjykata e Apelit, më 26 tetor 2017, ka nxjerrë aktvendim me të cilin kishte konfirmuar vendimin e shkallës së parë dhe në këtë mënyrë ka lënë në fuqi aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 24 tetor të vitit 2016./Betimi për Drejtësi/