Aktuale

Basha me akuza të rënda ndaj Ramës

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar sot se është mision i pamundur që ambasadorët të sjellin investitorë të huaj në Shqipëri.

Pas takimit të kryeministrit Edi Rama me ambasadorët e Shqipërisë, të cilëve u kreu i qeverisë u kërkoi të sjellin investitor të huaj në vend, ka reaguar edhe kreu i opozitës Lulzim Basha.

“Kryeministri i pashpresë dhe i korruptuar deri në rrënjë, e di se në Shqipëri mund të investojnë apo marrin tendera vetëm ata që pranojnë të dorëzojnë kapar 30- 50% të fitimit tek ai, përmes sejmenëve të tij të kapur në përgjime”, tha Basha.

Sipas tij, investitorët e huaj do të vijnë në Shqipëri, kur vendi të ketë një qeveri që lufton krimin dhe hap vende pune.

“Por kjo nuk do të ndodhë sa kohë vendin ta drejtojë kryeministri i kapur nga krimi dhe i zhytur në krim, që ktheu Shqipërinë në hambar droge dhe buxhetin e shqiptarëve në lavatriçe për pastrimin e parave të pista”, tha kreu demokrat.