Aktuale

Basha: Vendimi për rritjen e pensioneve për 1.6 për qind, tallje e rëndë e Ramës

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e quan tallje të rëndë me pensionistët vendimin e qeverisë për të indeksuar me 1.6 për qind.

Kreu demokrat tha se me vendimin, 635 mijë pensionistë në vend arrijnë të marrin një bukë e 100 gramë djathë. Ai deklaron e asnjë vendim i tillë qesharak nuk e shpëton Edi Ramën nga pensioni politik.

Deklarata e Bashës:

Edi Rama po fryn me pompë vendimin për indeksimin me 1.6 për qind të pensioneve, që në të vërtetë është një tallje e rëndë. Një tallje me 635 000 pensionistë, sepse sipas llogarisë për ata në zonat urbane, Edi Rama ka shtuar diku 2300 lekë të vjetra në muaj, ndërsa për ata në fshat 1300 lekë në muaj.

Pra një bukë e 100 gram djathë në muaj është bujaria e Edi Ramës ndërkohë që çmimet sipas INSTAT-it qeveritar janë rritur me 4.8% për arsimin me 16.3% për frutat dhe 7.1% për zarzavatet. Ky indeksim është një turp i qeverisë në ikje, një masë e pritur me përbuzje.

Çfarë të paguajnë më parë pensionistët me këtë rritje? Çmimin e rritur të energjisë elektrike, të urbanit, apo të barnave skarco të Beqes? Asnjë vendim i tillë qesharak nuk e shpëton Edi Ramen nga pensioni i afërt politik.