Ekonomi

Beogradi e cilëson ‘plan të rrezikshëm’ unionin e rrjeteve energjetike Kosovë-Shqipëri

Qëllimi i Prishtinës që nga prilli i vitit të ardhshëm të jetë në të njëjtin bllok energjetik me Shqipërinë është një plan i kahershëm i parealizuar i shqiptarëve të Kosovës për të grabitur pronën serbe dhe për vendosjen e kontrollit të plotë mbi veriun e Kosovës.

Serbët nga Kosova nuk përjashtojnë as përpjekjet e reja që fizikisht të pushtohen hidrocentrali “Gazivoda” (Ujmani) dhe trafostacioni “Vallaç”, shkruan e përditshmja e Beogradit, “Novosti”, e njohur ndër dekada për përfaqësimin e pikëpamjeve nacionbaliste e shoviniste serbe.

Sipas komenteve të këtij mediumi, nënshkrimi i marrëveshjes midis operatorit të sistemit dhe të tregut të energjisë elektrike KOSTT me Operatorin shqiptar të sistemit transmetues OST, përbën shkelje të vrazhdë të Marrëveshjes së Brukselit nga ana e Prishtinës dhe se kjo po ndodh me miratimin e Rrjetit Europian të operatorëve të sistemeve transmetuese të energjisë elektrike.

“Por, provokimi i fundit i Prishtinës në asnjë mënyrë nuk rrezikon furnizimin me energji elektrike të serbëve në veri”. Drejtori i ndërmarrjes publike “Ibar HE Gazivoda”, Sërgjan Vuloviq citohet nga “Novosti” të ketë thënë se “Sasinë më të madhe të rrymës e marrim nga Serbia qendrore, përmes largpërçuesve nga Novi Pazari. Përmes këtij “veprimi të penës” me të cilin duan të futen në bllok energjetik me Shqipërinë, nuk ndryshohet asgjë, meqë edhe “Gazivoda”, edhe “Vallaçi” janë në duart tona. Natyrisht nuk përjashtoj mundësinë që hapi tjetër i tyre të jetë përpjekja për pushtimin fizik të këtyre resurseve”, ka thënë Vuloviq.

BE-ja nuk po reagon pse Prishtina me vite shkel njërën nga pikët e Marrëveshjes së Brukselit. Sipas marrëveshjes parashihet që Kosova të bëhet zonë e veçantë energjetike, por parakusht është formimi i dy kompanive serbe në veri të Kosovës, gjë që me këmbëngulje po pengohet.

Stilin e me terminologjinë tashmë të njohur me dekada, Beogradi e quan hyrjen e Kosovës në një bllok energjetik me Shqipërinë si një hap tjetër drejt formimit të projektit “Shqipëria e madhe”, ndaj të cilit BE-ja vazhdon të mbetet e heshtur.

“Prishtina e Tirana tashmë janë marrë vesh për kontroll të përbashkët doganor, Kosova ka fituar terminalin në Portin e Durrësit, kanë misione të përbashkëta diplomatike dhe marrëveshje për bashkëpunim ushtarak”, rikujton kjo gazetë, transmeton Koha.net. “Novosti vazhdon: “Nëse Kosova futet edhe zyrtarisht në bllokun energjetik me Shqipërinë, në atë moment pushon përgjegjësia e Serbisë (gazeta i referohet Serbia qëndrohet, gjoja se kështu nënkupton Kosovën pjesë të saj) për humbjet që do të bëjnë. Para Europës, Shqipëria do të marrë gjithë përgjegjësinë”.

Deri tash, sipas kësaj gazete, Serbia është dashur vazhdimisht të kompensojë të gjitha humbjet që i shkaktonte Kosova, të cilat asnjëherë nuk i ka kthyer, transmeton koha.net. Kujtojmë se Kosova disa herë ka bërë kërkesë për anëtarësim në Rrjetin Europian të Operatorëve të Sistemeve transmetuese të Energjisë Elektrike, por Serbia e ka bllokuar.

the authorGazetaKNN