Rajon & Botë

Bie çmimi i naftës shkaku i luftërave tregtare

Çmimi i naftës në bursën ndërkombëtare ka shënuar rënie për të dytën ditë me radhë në kohën kur rënia e kërkesës globale ia ka marrë anën peshës së marrëveshjes së vendeve të OPEC-ut për zvogëlimin e prodhimit.

Një fuçi nafte e papërpunuar të martën u shit për 33 centë më lirë, përkatësisht 0.5 për qind më lirë ose 63.92 dollarë.

Javën e kaluar, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe disa vende të tjera, përfshirë Rusinë, u pajtuan që ta zvogëlojnë edhe më shumë prodhimin e naftës për 1.7 milion fuçi në ditë për të mbajtur çmim stabil të karburanteve.

Megjithatë, çmimi i “arit të zi” gjatë kësaj jave po shënon rënie dhe besohet se njëri ndër shkaktarët është afrimi i afatit të 15 dhjetorit që Shtetet e Bashkuara ia kanë caktuar Kinës për vendosjen e taksave ndaj mallrave kineze.

Sekretari amerikan i bujqësisë, Sonny Perdue, tha se presidenti Trump nuk dëshiron ta zbatojë valën e re të taksave ndaj mallrave kineze, por dëshiron që Kina të lëvizë me masa që këto taksa të shmangen, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.