Aktuale

Bie importimi i mjeteve piroteknike, dalin në treg nga 19 dhjetori

Mjetet piroteknike dhe fishekzjarrët janë një lloj tradite e pakrahasueshme në festat e fundvitit. Megjithëse zhurma e tyre mund të duket interesante dhe argëtuese, për shumë kënd shpesh herë përfundon edhe me pasoja, përfshirë edhe lëndime të rënda. Më të ‘ekspozuarit’ ndaj tyre janë fëmijët, të cilët përdorimin e mjeteve piroteknike e kanë pjesë të festës së fundvitit, me çka edhe mjaft prej tyre kanë pësuar në rrethana të ndryshme.

Këtë vit, nuk dihet nëse për arsye ekonomike, apo të tjera, ka pasur rënie të madhe të importit të mjeteve piroteknike në krahasim me vitet e mëparshme. Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës tha për KosovaPress se deri tash janë importuar 39 mijë kilogramë mjete piroteknike dhe fishekzjarrë.

 

‘’Gjatë fundit të vitit 2016  janë importuar mbi 39.000 kg mjete piroteknike dhe fishekzjarrë. E gjithë kjo sasi ka vlerë monetare rreth 50.000 euro. Këtë vit nuk kemi hasur në raste të tentim kontrabandës së mjeteve piroteknike dhe se nuk ka pasur mjete të cilësisë së dytë’’ tha Stavileci.

Nga ana tjetër, ata të cilët i shohin nga afër pasojat që sjell pakujdesia apo fati i keq në përdorimin e mjeteve teknike dhe fishekzjarrëve, janë padyshim Emergjencat e vendit. Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Basri Lenjani, tha për KosovaPress se institucionet përgjegjëse duhet të jenë të kujdesshëm në këtë kategori të shitjes, me qëllim që ato në asnjë mënyrë të mos u lihet t’u bien në dorë fëmijëve, të cilët edhe shumë shpesh kanë marrë lëndime serioze.

Ai tregon se në vitin 2010 Klinika ka pasur numëron më të madh të të lënduarve nga përdorimi i mjeteve piroteknike, me çka edhe patën marrë fushata vetëdijësuese në bashkëpunim me Policinë dhe akterë të tjerë, që së bashku ndikuan ndër vite në uljen e fatkeqësive si pasojë e përdorimit të tyre. Lenjani thotë se ka pasur mjaftë raste kur në Klinikë janë paraqitur me raste me vetëlëndime nga mjetet piroteknike.

“Zakonisht kureshtarë janë fëmijët e vegjël të cilët kërkojnë t’i shkrepin ato dhe nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun i cili mund t’u kanoset, mirëpo ne jemi të interesuar që të paktën njëherë e përgjithmonë, shteti i Kosovës, komuna e Prishtinës, të bëjë ndezjen e fishekzjarrëve në mënyrë të organizuar… Nuk duhet të lejohet që mjetet piroteknike të gjenden në duart e fëmijëve, për shkak se mund të shkaktojnë lëndime serioze ose mund të vetë lëndohen’’, tha Lenjani.

Shefi i Klinikës Emergjente tregon se që nga viti 2010 nuk ka pasur lëndime të cilat kanë quar deri te vdekja e personave si rezultat i përdorimit të mjeteve piroteknike. Megjithatë ai tërheq vërejtjen për kujdes në përdorimin e tyre, duke treguar se pasojat e tyre të rrezikshme mund të sjellin trauma afatgjate.

 

‘’Në vitin 2010 është vetëm një rast që ka përfunduar legalisht, domethënë ka qenë i vdekur, ndërsa nga viti 2010 nuk është regjistruar asnjë rast si pasojë e lëndimeve me mjete piroteknike. Zakonisht të lënduarit të cilët marrin shërbime emergjente mjekësore, shpesh herë e fajësojnë vetveten për arsye se pse e kanë përdorur, një pjesë e lëndimeve kanë rezultuar edhe me humbjen e gishtërinjve. Ndërkohë që mësuesit, pedagogët, profesorët, të cilët janë në shkolla të ulta dhe të mesme në mënyrë pozitive mund të ndikojnë tek fëmijët duke u treguar që të paktën me mjete piroteknike të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit’’, tha Lenjani.

Destan Mustafa, shef i Divizionit për Armë dhe Eksploziv, ka treguar për KosovaPress se këtë vit nga data 19 deri 30 dhjetor do të lejohet përdorimi i mjeteve piroteknike. Ai gjithashtu ka treguar se ministria e Punëve të Brendshme ka organizuar një fushatë për vetëdijesimin e qytetarëve për përdorimin e sigurt të mjeteve piroteknike.

 

‘’Mjetet piroteknike janë të lejuara të shiten gjatë gjithë vitit nëpër pika të veçanta të cilat janë të licencuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, por, ato duhet të shiten përmes një leje të veçantë , duhet të lajmërohen stacionet policore lokale. Mirëpo nga data 19 dhjetor deri 30 dhjetor nuk ka nevojë për një leje të tillë , kurse përdorimi pa leje të tillë mund të ndodhë nga 26 deri në fund të vitit. Këto produkte janë të lejuara në shitje, janë në tregti me ligj nga Qeveria e Kosovës dhe nuk është e domosdoshme të ndalohen sepse këto janë edhe argëtuese. Ne themi  që më mirë të përdoren fishekzjarrë sesa të përdoren plumbat, armët, sepse armët janë shumë më të rrezikshme se fishekzjarrët….. Po në ligjin për përdorim civil të eksplozive  caktohet edhe periudha e moshës për të cilat është e lejuar të shitet, kategoria 2 dhe 3 mund t’i lejohet moshës 12 dhe 16 vjeçare, kurse kategoria 3 e fishekzjarrëve mund t’i lejohet moshës mbi 18 vjeç’’ tha Mustafa.

Ai gjithashtu ka treguar se ministria e Punëve të Brendshme ka organizuar një fushatë për vetëdijesimin e qytetarëve për përdorimin e sigurt të mjeteve piroteknike. /kp