Tech

Bie interesimi për panairin e Frankfurtit, 9 kompani të mëdha nuk marrin pjesë

Deri te hapja e panairit të automobilave në Frankfurt kanë mbetur edhe pak javë dhe lista e prodhuesve, të cilët nuk do të jenë pjesë e këtij manifestimi të sivjetmë sa vjen e po rritet, transmeton KosovaPress.

Kur më 16 shtator do të hapen dyert e panairit në qytetin gjerman, vizitorët nuk do të kenë rastin që të përcjellin direkt modelet e të paktën nëntë prodhuesve të llojeve të njohura të automobilave botërorë.

Në panairin e sivjetmë nuk do të marrin pjesë Peugeot, DS, Infinity, Jeep, FIAT, Alfa Romeo, Mitsubishi, Volvo dhe Nissan. Këta prodhues me modelet e tyre mbulojnë madje 20 për qind të tregut të automobilave evropianë.

Prodhuesit e automobilave mos pjesëmarrjen e tyre e arsyetojnë me shpenzimet e larta në panair, pasi që salloni i Frankfurtit është jashtëzakonisht i shtrenjtë.

Dikur panairet e mëdha të automobilave ishin vendi ku blerësit njiheshin me modelet e reja, por sot këto ekspozita vazhdojnë të humbin interesimin, pasi që prodhuesit tash më shpejt, më lirë dhe në mënyrë më efikase arrijnë deri te blerësit potencialë duke përdorur internetin dhe rrjetet shoqërore.

Prodhuesit nuk dëshirojnë të shpenzojnë miliona euro në prezantime statike para kupolave të panaireve, kur për një shumë dukshëm më të vogël të parash mund të promovojnë spote dhe t’i plasojnë përmes rrjeteve Facebook, Twitter dhe YouTube.

Përveç kësaj, prodhuesit e automobilave gjithnjë e më shpesh organizojnë premiera të modeleve të reja në manifestimet e tyre të vogla, në mënyrë të pavarur nga panairet, ku mund të vendosin kontakte me grupet e blerësve të interesuar.