Aktuale

Biznesmenët e Prizrenit i ankohen Veselit për vështirësitë gjatë punës së tyre

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, që njëherësh është edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës sot ka qëndruar në Prizren.

Në qytetin historik, Veseli është takuar me ekspertet të fushës së ekonomisë.

Veseli nga ekspertët prizrenas kërkoi që të dijë nga ata që të tregojnë brengat dhe ato vështirësitë në të cilat hasin gjatë punës së tyre si biznesmenë.

 

“Shpreheni në mënyrë të drejtpërdrejtë qoftë kritikat apo qëndrimet dhe idetë se si Kosova mund të ecë përpara, cilat janë vështirësitë drejtpërdrejt që e mban Kosovën në një forme të okupuar në bilanc të tillë negativ tregtar. Pse jemi shndërruar në shoqëri konsumuese, pse nuk kemi prodhim vendos, pse nuk arrihet që prodhimet tona vendore t’i konkurrojnë prodhimet që vijnë nga BE në çmime. Të gjitha këto janë vështirësi me të cilat ballafaqohemi, me të cilat ju ballafaqoheni edhe drejtpërdrejt. Këtu po shoh biznese që kanë afarizëm të suksesshëm që punësojnë me mijëra njerëz. Çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës  ta mbrojnë edhe kufirin por të njëjtën kohë edhe prodhimin. Çfarë duhet të bëjnë që institucionet t’i krijojnë të rinjve tanë që të punësohen që mos të dalin jashtë Kosovës. Kjo është ajo çka dëshiroj të dëgjoj n ga ju”, tha Veseli.

Shkëlzen Mustafa nga komuniteti i biznesit për regjionin e Prizrenit Shkëlzen Mustafa është ankuar për disa nga vështirësitë me të cilat hasin ata, por me këtë rast ai ka përmendur mungesën e fuqisë punëtore e të cilët sipas tij janë destinuar vetëm në drejtimin ekomomik dhe juridik.

Ai me këtë rast propozoi që Ministra e Arsimit të merret me këtë çështje pasi që aftësimi profesional i të rinjve është lënë anash.

 

“Njëra nga problemet tjera është edhe ndryshimi i pakos fiskale të cilat luajnë rol të rëndësishëm në të bërit biznes në kuptimin e asaj se institucionet që mbledhin tatim për buxhetin e shtetit të vetmin preokupim e kanë se si të rrisin të hyrat e jo për të ndihmuar komunitetin e biznesit. Me ndryshimin e politikave fiskale biznesi do të mund të merrte frymë shumë më lirshëm edhe do të krijohej potencial  për investime të reja dhe krijimin e vendeve të reja të punës. …Doganat dhe ATK të kenë në planprogram të tyre edhe aftësimin edukativ dhe arsimor e jo vetëm ndëshkues që ka qenë prezent që nga paslufta e deri më tani”, tha Mustafa.

Refki Hoxha nga Oda Ekonomike Regjionale tha se bizneset po ballafaqohen me mungesë të infrastrukturës dhe me kreditë e larta.

 

“Bizneset tona ballafaqohen me problemet e infrastrukturës çka do të thotë se ne kemi mungesë të parqeve industriale prandaj bizneset janë të obliguara që vet t’i krijojnë këto kushte të bëjnë ndërrimin e destinimit të siguron energjinë elektrike dhe gjëra tjera që nevojiten për ushtrimin e biznesit. Përveç  kësaj bizneset ballafaqohen edhe për kreditë e larta e që për ta siguruar një kredi nevojitet dyfishi ose trefishi i hipotekës”, tha Hoxha.

Ndërsa biznesmeni Irfan Fusha propozoi që të kenë më shumë hapësirë për prodhimet vendore si dhe që studentët dhe nxënësit të aftësohen për punë në biznes.

 

“Nëse  bëhet fjalë për punësim  do të ishte mirë që të marrim shembuj nga shtetet tjera që marrin subvencione për punësim, po shpresoj që të punësojmë rininë sepse ne e kemi një rini të mrekullueshme. Ne duhet ta aftësojmë rininë kemi bashkëpunim edhe me shkollat dhe fakultetet për trajnime. Jemi të gatshëm edhe për trajnime dhe t’iu ofrojmë edhe atyre sepse ata janë fëmijët tanë, nxënësit tanë. Unë do të thoja që të bëhet pakëz presion  tek tregtarët për prodhime vendore, të kemi hapësira më të mëdha për produktet vendore dhe të mos na bëjnë presion me bonuset dhe shumë kërkesa të mëdha si tregtarë, por aty po më duket po i ngulfasim edhe prodhimet vendore”, tha Fusha.

Ndryshe pas turit me qytetarë dhe studentë, kryetari i PDK-së që nga dje ka filluar edhe turin me ekspertë kryesisht të  fushës së ekonomisë./KosovaPress/