Bohemizmi revoltë në jetë – art në poezi

Në kujtim të Mirko Gashit

Shkruan: Bujar Tafa

Me 2 shkurt të vitit 1939 u lind Mirko Gashi, njëri ndër poetët më të rëndësishëm e mëinteresant të poezisë shqipe në përgjithësi.

Pra, sot ai, po tëishte gjallë do ta festonte ditëlindjen e tij tështatëdhjetenëntë.

Ndonëse me shkrime kishte filluar të merret qysh herët, Mirko Gashi përmbledhjen e parë të poezive, Në vorbullën e ujit, e botoi në Rilindje, më 1972; përmbledhjen e dytë, Netët e bardha, më 1978; të tretën, Gjarpri i shtëpisë, më 1980; të katërtën, Arbor vitae, më 1988, dhe të pestën Plagë uji, më 1990, po ashtu në Rilindje.

Poezia e MirkoGashit është përkthyer në shumë gjuhë të huaja, si në: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, arabisht etj., si dhe është prezantuar në shumë antologji.

Poezia e tij është ajo që ka nxitur përherë dhe me të drejtë kureshtjen e studiuesve tanë të poezisë. Për këtë poezi kanë shkruar studiues të ndryshëm. Kështu, për përmbledhje të veçanta patën shkruar studiues si, AliAliu, Anton Berisha, JusufBuxhovi, PrendBuzhalapastaj Sabri Hamiti e ndonjë tjetër. Studiuesi tjetër, Agim Vinca, trajtoi disa nga aspektet e veçanta të kësaj poezie duke u nisur, sidomos, nga struktura simbolike e mitike e kësaj poezie, si dhe duke mos lënë anash as analizën për bohemizmin e tij.

MirkoGashi jo vetëm që arriti ta formojë dhe ta përsosë një profil mjaft të veçantë të artikulimit poetik e të shprehjes së botës personale, por ai, në njëfarë mënyre, u bë edhe emblemë e të ashtuquajturës sjellje bohemiste në jetë dhe në art. Ky fakt e bën edhe më interesant këtë poet dhe e nxit kureshtjen tonë për ta studiuar poezinë e tij edhe nga kjo anë. Përveç kësaj, poezia e MirkoGashit, në përgjithësi, shënon një përvojë të re në poezinë bashkëkohore shqiptare. Në poezinë e tij ai krijoi relacione të reja të botëkuptimit e të perceptimit të reales. Poezia e tij shquhet për një qasje krejt origjinale ndaj realitetit. Kështu, në shumë aspekte Mirko Gashi është poet, i cili poezinë shqipe, në përgjithësi, e ka shpënë përpara.
MirkoGashi në krijimtarinë e tij poetike ka bërë hapa të mëdhenj që e përligjin, e faktojnë, mendimin tonë për të arriturat e tij në fushën e poezisë. Interesimet e tij poetike shkojnë në shumë drejtime, e shtrihen në shumë plane. Në këto poezi ka edhe kujtesë edhe profeci, të dyja bashkë, sepse ai nuk dëshiron ta shohë botën vetëm nga mbrapa ashtu sikurse nuk do, e as nuk mund, të jetë profet në një botë që zanafillën e ka prej kaosi. Kështu poeti, shpeshherë, botën e sheh si kaos, dhe në këtë gjendje dallohen lehtë vlerat humane të tij. Dallohet ëndrra e tij për të mirën në kohë dhe hapësirë.

Kontrasti i madh ndërmjet realitetit dhe ideales ose realitetit në ëndërr, do të mund ta shënonte emblemën artistike të këtyre poezive.

Të veçantat tjera, artistike, të poezisë së MirkoGashit janë të shumta.

Poezinë e MirkoGashit por edhe jetën e tij, lexuesit vazhdimisht e lidhin me bohemizmin. Përndryshe, termin bohem, rrjedhimisht bohemizmin,fjalorët e shpjegojnësi emër që ka të bëjë me banorin e Bohemisë (krahinë nëRepublikën e Çekisë) me tipare të banorëve qëlëvizin, enden, shëtisinprej një vendinëvendin tjetër. Pra nga një tipar, veçanti e një banori të një vendi të caktuar, bohemizmi u bë emblemë e një rrethi të caktuar poetësh e artistësh, të cilët i karakterizojnë disa tipare.

Këto karakteristika janë të veçanta, specifike për secilin poet, për secilin artist. Kështu secili poet, krijues, praktikon vetvetiu mënyra të ndryshme të manifestimit të bohemisë. Te disa vërehet një indiferencë totale ndaj rrethit, ndaj shoqërisë, te të tjerët një mospërfillje konvencave morale – religjioze etj. E tëra kjo shoqërohet, në raste të ndryshme, me konsumim të vazhdueshëm e të tepruar të alkoolit, të drogave etj. Mirëpo, e tërë kjo nuk do t’i shkonte për shtati bohemisë në rast se këta krijues nuk do të tregonin një përkushtim të veçantë, do të thosha edhe këmbëngulës, ndaj aktit krijues të tyre, në këtë rast ndaj poezisë. Por, çka mund ta bëjë Mirko Gashin bohem? Cilat janë ato veçanti, ato specifika, të cilat mund ta karakterizojnë bohemizmin e Mirko Gashit?

Në këtë rast bohemizmin duhet parë varësisht raportit të Mirko Gashit kundrejt realitetit, duke përfshirë në këtë drejtim edhe rrethin, shoqërinë etj. Kështu, për ta parë dhe analizuar këtë raport, duhet të ndalemi së pari te formimi kompleks i poetit, duke i parë rrethanat biografike e psiko-sociale.

Kështu, rrethanat e caktuara sociale-politike bënë që Mirko Gashi të lindej në Kralevë, një qytet në Serbi, i populluar me një shumicë absolute serbe. Pra, një shqiptar në mjedisin serb. E kaluara është dëshmitare e një konflikti të vazhdueshëm shqiptaro–serb. Mirko Gashi u lind më dy shkurt 1939. Babai i tij ishte Mark Gashi (i persekutuar nga regjimi serb)i cili për shkak të rrethanave të ndryshme në atë kohë kishte migruar atje. Pak më vonë erdhi një sistem (ai komunist), i cili e propagandonte, natyrisht në mënyrë të ideologjizuar e të dogmatizuar, një bashkëjetesë ndërmjet etnish e konfeksionesh.

Mirkos, si duket, nuk i bëri përshtypje dhe nuk i shfrytëzoi ato përparësi, të cilat mund t’i kishte në atë kohë dhe në atë vend. Nga kjo situatë mund të konkludojmë plotësisht se Mirko Gashit nuk i ndodhi ashtu siç mund t’i ndodhte ndokujt tjetër.

Ai nuk ishte kurrë në krizë identiteti, as nacional, as profesional, e as të ndonjë konvencioni tjetër. Përkundrazi ai, në mënyrën e vet, e kishte arritur një shkallë të lartë të përsosmërisë dhe të vetëdijesimit të tij për jetën. Në bazë të kësaj filozofie mund të qëndrojë bohemizmi i tij. Një filozofi e tillë i mundësoi ndërgjegjes së tij ngritjen në majën e Olimpit, dhe nga ajo majë kundrimin e jetës që e bëjnë njerëzit poshtë, me veset e tyre, me mosmarrëveshjet, hipokrizitë, dyfytyrësitë e të gjitha degradimet tjera njerëzore.

MirkoGashi, nuk mundohet të krijojë ndonjë sistem të vlerave tjera humane. Ai i respekton ato vlera ekzistente, që e kanë një burimësi edhe hyjnore, dhe me anë të këtyre vlerave që, tashmë i njeh, i respekton dhe me të cilat dëshiron të jetë i mishëruar qenësisht, ai u del përballë dhe ndeshet me degradimet njerëzore, prej nga pason edhe lëndimi i tij, vuajtja e tij.

Rrjedhimisht, bohemizmi i shfaqur i tij është më shumë revoltë ndaj këtij realiteti njerëzor.

Bohemizmin, MirkoGashi, më shumë e manifeston në jetë se në poezi. Kjo është dominuese, ani pse jeta ka reflektime në poezi. Në raste të ndryshme poezia është pasqyrë e jetës që bën poeti.

Krijimi i një sistemi tjetërfare i komunikimit me lexuesin, i cili sistem e ka bazën te një botë unike poetike, të cilën e formon poeti në vazhdimësi, pra një botë që është e ndërtuar stilistikisht nën figurshmërinë e ujit, rrjedhimisht të shtyn të mendosh për një ikje të supozuar të poetit nga realiteti konkret. Kjo, në shikim të parë, mund të na krijojë përshtypjen se, poeti, nga tendenca për t’iu larguar realitetit konkret, të ketë në mendje edhe një revoltë bohemike ndaj realitetit jetësor, ç ‘gjë edhe nuk mund të përjashtohet. Megjithëse, në kontekstet e atyre poezive që janë të ndërtuara nën figurshmërinë e ujit, poeti krijon relacione interesante origjinale, të cilat janë të ndërlidhura shumanshëm me raportin ndërmjet subjektit lirik dhe botës përreth. Gjithnjë pa harruar se subjekti lirik i këtyre poezive, është i mishëruar qenësisht me vlerat morale e humane, të cilat i ka krijuar shoqëria njerëzore. Gjithashtu, subjekti lirik i pajisur me këto vlera humane bie ndesh në ato poezi, të ndërlidhura me figurshmërinë e ujit, me degradimet njerëzore, me veset e të këqijat tjera.

Një kundërvënie ndaj konvencionales e ndaj një rendi besimesh kolektive, mund të vërehet edhe te aspekti çmitizues e rimitizues i disa miteve.

Përcaktimin e Mirko Gashit si poet bohem e bën edhe studiuesi Agim Vinca. Kështu, me rastin e vdekjes së poetit MirkoGashi, ky studiues, në lidhje me bohemizmin e tij, pati theksuar: Në Republikën tonë të letrave, Mirko Gashi ishte i vetmi poet – bohem në kuptimin e plotë të fjalës. Ai ishte kurdo dhe kudo i tillë: në rrugë, në kafene, në komunikim me njerëzit në jetën e përditshme, në mbrëmjet letrare…

MirkoGashi bohemizmin e manifeston më shumë në jetë, mirëpo në disa raste edhe në poezi, dhe nga kjo mund të theksojmë përfundimisht se ky bohemizëm, ndërkohë, është revoltë në jetë dhe art në poezi.

Poezia e MirkoGashit është e pasur edhe në shumë plane tjera. Ai në masë të madhe arriti që në poezinë e tij të inkuadrojë edhe përvoja tjera, e sidomos atë mitike. Normalisht, se këto përvoja ai ia nënshtroi përjetimit të tij, me një fjalë këto përvoja ai i asimiloi. Kjo e dhënë shkon në drejtim të shquarjes së artistikes dhe modernes së kësaj poezie. Përveç kësaj, botë – përjetimin e vet personal, poeti në masë të madhe ia arriti efektshëm ta zhvendosë në një fushë tjetër të qenësisë natyrore. Mund të themi kushtimisht e zhvendos duke e pasur parasysh, sidomos relacionin me bagazhin simbolik që e ka poeti kundrejt figurës-simbol të ujit, figurë e cila e ka një shtrirje të gjerë në këto poezi. Një praktikë e tillë krijuese dëshmon, po ashtu, origjinalitetin si dhe modernitetin e kësaj poezie. Një praktikë të tillë krijuese poeti e përdor edhe kur i ka për bazë disa prej figurave të simbolikës florike – faunale.

Poezia e Mirko Gashit është e pasur edhe në rrafshe tjera tematike. Kështu poezitë me motive të dashurisë, etnisë etj., e kanë një shtrirje të theksuar në këtë tërësi.

Ndonëse të pakta në numër, edhe në poezitë me tematikë atdhetare poetit i shërben një detaj i caktuar nga kjo fushë për ta theksuar ndjesinë dhe përkatësinë e tij atdhetare. Për t’i shprehur këto ndjesi, poeti, pikëreferimi i ka kryesisht disa personalitete të historisë kombëtare. Në këtë rast vlen të thuhet se edhe pse Mirko Gashi krijimtarinë e tij poetike e filloi qysh para viteve ’70 e këndej, te ai në asnjë rast nuk vërehet një krijimtari poetike e angazhuar në pikëpamje dogmatike, ideologjike. Në këtë plan e vlen të thuhet se Mirko Gashi me sukses i përballoi këto sfida të kohës.

Ky poet në shumë raste e shkruan me sukses edhe poezinë përkushtuese ndaj të tjerëve, pastajedhe poezinë, në të cilën e shfaq përkushtimin e tij ndaj poezisë, si dhe bohemizmit të tij.

Përgjithësisht, në planin tematik, Mirko Gashi poezinë shqipe, në përgjithësi, arriti ta pasurojë në masë të madhe me tema, motive pastaj me pozicione të ndryshme të subjektit lirik karshi botës etj.

Përfundimisht, poezia e Mirko Gashit e ka zgjuar, përherë, interesimin e lexuesve dhe të studiuesve për shumë arsye, e në radhë të parë për pasurinë dhe cilësinë artistike të këtyre poezive. Kjo poezi e ka shtrirë komunikimin me lexuesin në shumë plane, komunikim që po vazhdon edhe tash pas vdekjes së poetit, e do të vazhdojë edhe në të ardhmen, gjithmonë nëpërmjet gjuhës së shpirtit poetik, nëpërmjet gjuhës së artit.