Aktuale

Brenda 9 muajve shifra alarmante të vdekjeve nga aksidentet në Prishtinë

Policia e Kosovës tregon shifrat alarmante të aksidenteve me fatalitet vetëm në rajonin e Prishtinës, derisa ka konfirmuar se dje ka vdekur edhe një 27 vjeçar.

Dje rreth orës 15:00, në rrugën “Shkelzen Haradinaj” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku ka humbur jetën një person, bën të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, vetura e tipit “Golf ” dhe një autobus i tipit Mercedes.

Si pasojë e këtij aksidenti është lënduar ngasësi i veturës, i cili nuk ka arrit të përballojë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe i njëjti, rreth orë 18:00, në QKUK, ka ndërruar jetë, bëhet fjalë për viktimën: R. M. 27 vjeç, mashkull, shtetas Kosovar, ( drejtuesi i veturës Golf), vdekja e të cilit është konfirmuar nga ana e ekipit mjekësor në QKUK.

Lidhur me këtë aksident drejtuesit të autobusit, me urdhër të Prokurorit të shtetit, i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48orësh. Ndërkohë që trupi i viktimës është dërguar në Institutin e mjekësisë Ligjore për obduksion.

Gjatë nëntë muajve të këtij viti, në Rajonin e Prishtinës kanë ndodhur 4.826 aksidente trafiku prej tyre:

24 Aksidente trafiku me pasoja fatale – 25 persona të vdekur
1.484 Aksidente trafiku me të lënduar – 2.792 persona të lënduar, si dhe
3.318 Aksidente trafiku me dëme materiale.
Andaj duke parë si shqetësues këtë numër të madh të aksidenteve të trafikut dhe veçanërisht numrin e madh të viktimave nga aksidentet fatale dhe të personave të lënduar, kërkojmë nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat e kodit rrugorë, në mënyrë që bashkërisht të ndikojmë në uljen e numrit të ngjarjeve aksidentale, uljen e vdekshmërisë në komunikacionin rrugor, e rrjedhimisht ngritjen e shkallës së sigurisë në trafik.