Ekonomi

Brexit, Pasojat e menjëhershme: Bursa e Londrës humb 100 miliardë sterlina

Më tepër se 100 miliardë sterlina u humbën në bursën e Londrës mëngjesin e sotëm, ku indeksi “FTSE 100” pësoi rënien më të madhe në historinë e Britanisë së Madhe, pasi vendimi i britanikëve për t’u larguar nga Bashkimi Evropian shkaktoi panik në botën mbarë.

Indeksi kryesor i bursës së Londrës ra 458 pikë, duke shkuar në 5.880 pikë, me një rënie prej 7.19 %. Ekspertët presin që gjendja të përkeqësohet. Kolapsi i mëngjesit të sotëm vlerësohet edhe shumë më i madh se rëniet e vitit 1978, “E premtja e zezë” e vitit 1992 dhe falimentimet e mëdha në vitin 2009.

Bankat britanike ishin më të goditurat sot në tregun e aksioneve, teksa RBS ra 34 %, “Lloyds” humbi 28 % dhe “Barclays” 30 %. Gjithashtu, kompanitë e sigurimeve dhe firma të mëdha u goditën, duke pësuar rënie të mëdha të vlerës së aksioneve.

Vendimi i britanikëve në referendumin e djeshëm për t’u larguar nga Bashkimi Evropian shkaktoi panik në tregjet financiare, që u hapën me humbje të mëdha, ndërsa sterlina ra më tepër se 10 % ndaj dollarit amerikan. Për më tepër, Britania e Madhe rrezikon të humbasë edhe vlerësimin e saj nga kompanitë ndërkombëtare me AAA.

Nga ana e tij, guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Karnej, deklaroi sot se institucioni ishte i gatshëm të injektonte 250 miliardë stërlina (326 miliardë euro) nga fondet shtesë për të siguruar likuiditete të mjaftueshme për funksionimin e tregjeve, pas fitores së Brexit. ”Banka Qendrore britanike është gjithashtu në gjendje për të financuar likuiditete të konsiderueshme në valutë të huaj, në rast nevoje”, shtoi Karnej në një intervistë televizive.