Ekonomi

BSH: Shpenzimet për udhëtimet jashtë vendit u rritën me 2%

Për turizëm, tek të afërmit emigrantë apo për qëllime biznesi, qytetarët e Shqipërisë rezultojnë të kenë shpenzuar jashtë 1.1 miliardë euro në vitin 2016, me një rritje të lehtë prej 2% në raport me vitin e kaluar, bëri të ditur Banka e Shqipërisë në raportin e publikuar së fundi mbi bilancin e udhëtimeve.

Sipas BSH-së, periudha kur shqiptarë shpenzojnë më shumë para jashtë është në tremujorin e tretë, që përkon edhe me pushimet e verës.

Në verën e 2016-s, turistët dhe udhëtarët shqiptarë shpenzuan gati 370 milionë euro.

Në kahun e kundër, shpenzimet e të huave në Shqipëri, kanë shënuar një rritje të ndjeshme në 2016-n, duke arritur në 1.5 miliardë lekë, me një rritje prej 13% në raport me vitin e kaluar. Rekordi i të ardhurave është arritur në verë, me 521 milionë euro.

Gjithsesi, pavarësisht prurjeve të larta të turistëve prej 1.5 miliardë euro, bilanci neto i të ardhurave nga turizmi është rreth 390 milionë euro, për shkak të shpenzimeve të mëdha jashtë, citon BSH-ja.