Opinione

Bujar Tafa: Drama e njeriut “të lumtur”

Shënime për romanin e Majlinda Bregasit – Gërsheti i prerë)

Shkruan: Bujar Tafa

Shkrimtarja, gjuhëtarja e gazetarja Majlinda Bregasi këto ditë botoi romanin më të ri “Gërsheti i prerë”, i treti me radhë i saj. Ajo më parë ka botuar romanet “Ikje” dhe “Fillimi i një fundi”. Po ashtu Majlinda është autore e shumë dokumentarëve televizivë si dhe fituese e disa çmimeve letrare. Romani “Gërsheti i prerë”, është botuar nga shtëpia botuese Koha.

E tërë drama fillon me raportet komplekse nënë–bijë dhe acarimet e shpeshta të këtyre raporteve. Në suaza të këtyre raporteve, lexuesit kanë mundësi që ta njohim edhe më shumë, deri në sferat më të thella botën komplekse të njeriut, veçmas të gruas pa asnjë filtër në mes.

Nëpërmjet protagonistes kryesore të romanit ne shohim se njeriu “guxon” të mendojë edhe gjëra për të cilat nuk ka guxuar më parë. Te pjesa e parë, rrëfimi fillon me përshkrimin e një situatë pasionante të protagonistes me emrin Vera në një jaht, ambient ky i përcjellë edhe me verë e me momente intime. Eshtë ky një fillim “mashtrues”, pasi ngjarjet më pas marrin drejtime të papritua.

Në pjesët e para të librit përshkruhen situata të zakonshme të botës sonë kur konturet e moralit dhe të sjelljes e të edukatës, si të thuash, evoluojnë, apo thënë më mirë ndryshojnë deri në atë masë sa që, kuptueshëm, për ne bëhet gjithnjë e më e vështirë që këtë evoluim të sjelljeve ndërnjerëzore ta klasifikojmë me terma pozitivë e afirmativë. Në roman vajza e sjellë një dashnor, hajn, në shtëpi, përderisa e ëma kthehet në ora tre pasmesnate, pasi ka kaluar një mbrëmje pasionante me një nga kontraktorët e punës në jahtin e tij.

Edhe pse nga përshkrimi i situatave të krijohet përshtypja e një jete normale e krejt të zakonshme të përditshmërisë së personazheve, prapëseprapë e tërë kjo jetë zhvillohet rreth ngjarjeve traumatike të njeriut modern. Martesat e shkatërruara, fëmijë me një prind, traumat e fëmijëve me jetën e tyre me një prind, janë probleme të përditshmërisë sonë. Janë probleme sociale të kohës sonë, por që protagonistja Vera Vogeli këtyre temave iu qaset shumëfish më shumë në aspektin psikologjik, thënë më mirë, protagonistja ballafaqohet me ato probleme e trauma në mënyrën se si i përjeton, pa i bërë ndonjë analizë në rrafshin sociologjik e ideologjik.

Në pjesë të ndryshme të romanit autorja e tërheq, paksa, rrëfimin për Shqipërinë. Pra, për pak kohë bagazhit emocional i shtohet edhe ngarkesa emotive e vendlindjes, për më shumë e Shqipërisë nën diktaturë, që detyrimisht e rrit dhe e zgjeron konceptin figurativ e domethënës e, si të thuash, e dyfishon ngarkesën emocionale të personazhit. Edhe në këtë pjesë rrëfimi vazhdon që të ndërtohet me gjetje të bukura të autores nëpërmjet rrëfimit të protagonistes kryesore. Në përgjithësi, autorja të befason me intuitën jashtëzakonisht të zhvilluar që e ka. Gjatë dialogëve mes personazheve, pastaj, gjatë përshkrimit të situatave e përshkrimit të personazheve në këtë roman, herë herë, të krijohet një ndjenjë sikur është e pamundur të fshehësh gjë, protagonistja Vera të sheh në transparencën më të mundshme. E tillë paraqitet situata kur ndërtohet edhe konflikti ndërmjet protagonistes së romanit me personazhin Alberto. Sado që është “i shkathët” Albertoja, prapëseprapë, Vera e mund atë, e mund sepse protagonistja e romanit ja njeh mjetet dhe mënyrat e luftës.

Majlinda të befason në mënyrën se si i ndërton konfliktet, si i përshkruan ato, duke i prekur të gjitha sferat e ndjesisë, kuptohet, mjeshtërisht e në mënyrë të paparë. Kjo e rrit vlerën estetike të këtij romani. Guxoj të them se artin e saj autorja e pasuron me “intrigat e kohëve moderne”. Pra, nga sferat e bursave, e jahteve dhe e rekuizitave të tjera të kohëve moderne, Majlinda krijon art të mirëfilltë. Përgjithësisht, këto janë situata edhe për skenarë filmash, pra si momente emocionale të intrigave të kohëve moderne.

Romani “Gërsheti i prerë” është roman i dramës së individit, i gjendjes psikologjike dhe emocionale të individit, në këtë rast gjendjes së protagonistes kryesore Vera Vogel, që ngjason shumë fuqishëm me individin e kohës sonë, konkretisht me gruan. Ato situata që krijohen në roman janë tablo të traumave njerëzore, të luftës mes dyshimesh që nisin nga fëmijëria e përcillen deri në fund.

Këto rrëfime të tronditin me ngjarjet e me aftësinë gjykuese e me dimensionin intelektual të protagonistes, e cila mendimet i thotë haptas, të paktën kur rrëfehet në veten e parë, por jo para personazheve të tjerë në roman, ngase kjo jetë, ky sistem njeriun e tëhuajson, e bën tjetër individ. Sistemi ku jeton protagonistja nga një njëri i bën dy e më shumë karaktere. Këtë protagonistja e thotë haptas, “kisha kohë që bëja jetë të dyfishtë”.

Majlinda Bregasi si një shkrimtare që jeton dhe vepron në më shumë se një rreth kulturor (ajo jeton e vepron sa në Kosovë, sa në Shqipëri e kohëve të fundit shumë më shumë në Itali) është e kuptueshme që ajo përfiton nga këto rrethe në kuptimin që duke i soditur fenomenet i analizon mjaftë mirë mendësitë e njerëzve të cilët i përkasin rretheve të ndryshme kulturore. Intrigat nuk është se ndryshojnë gjeografikisht, por, që sofistikohen varësisht rretheve është shumë e vërtetë, e këtë të vërtetë e sheh, e zbulon Majlinda më shumë se shumëkush. Kjo përvojë normalisht i bart reflekset e veta në këtë roman. Autorja e ka aftësinë e njohjes së përpiktë të situatave e të karaktereve. Kjo është zotësi e saj. Kjo intuitë e forcon artin e Majlindës.

Në disa pjesë, vërehet se romani ndërtohet duke u bazuar në shumë sentenca filozofike, e të cilat autorja besnikërisht ia faturon protagonistes Vera. Kjo e rrit paskajshmërisht vlerën artistike të romanit. Pra, kjo filozofi përputhet bindshëm me botën e jetën e Verës. Përputhja është e kuptueshme dhe kjo formë e kultivon dhe e ngreh lartë artin e Majlindës. Autorja në vazhdimësi të mahnit më sentenca të fuqishme filozofike e reflekse psikologjike në situatat kur ato shprehen “e di që harresa është mekanizëm mbrojtës i njeriut për të mos ndier dhimbje”, shkruhet ndër të tjera në roman.

Autorja Majlinda Bregasi nuk e thotë, por nga mënyra se si i krijon situatat, ajo të lë të kuptosh se fajtor kryesor për fatkeqësinë dhe mjerimin e njeriut modern, në këtë rast të protagonistes së romanit Vera Vogel, është sistemi i papërsosur i organizimit shoqëror.

Me nivelin e komunikimeve ndërmjet personazheve, me inskenimin e situatave, me fuqinë racionale të perceptimit të situatave, Majlinda Bregasi prozën shqipe në përgjithësi e ngrit në një stad më të lartë, në një nivel tjetër të lartë të ndjesive, sidomos me ndërtimin e sistemit ndërveprues shoqëror.

Është e rëndësishme të theksohet se personazhet e romanit të Majlinda Bregasit nuk kanë ngarkesa ideologjike, të asnjë lloji. Kjo vërtetësi bën që intrigat, që e ndërtojnë romanin, ngjarjet t’i ketë si pikënisje në një rrugë që nuk mbaron, dhe tërë ngjarjet të sillen për dhe rreth njeriut të fillimshekullit të tanishëm dhe përhumbja e tij në sistemin e demokracisë liberale, pastaj përhumbjen e njeriut në ekonominë e ashtuquajtur të lirë të tregut. Pra, përfundimisht, shkrimtarja Majlinda Bregasi në këtë roman trajton përhumbjen e njeriut, transformimin e tij (nuk po them dehumanizimin e tij) në këtë sistem shoqëror, fatkeqësisht të papërsosur dhe aktualisht në krizë të thellë. Protagonistja sa e sa herë këtë e thotë haptas ”oh Ema, e vërteta është se unë nuk e kam pasur jetën që do kisha dashur e nuk është e çuditshme që këtë ndjenjë ta ketë gjithkush sot, pakënaqësia është tipar i shoqërisë moderne. Kaq.” Kështu e përfundon rrëfimin në një rast protagonistja.

Është meritë e autores, që këto tema aktuale në kulturat dhe shoqëritë perëndimore i shkruan dhe i trajton në shqip, duke e pasuruar më tej letërsinë shqipe me këto koncepte të reja e, gjithsesi, të shkruara artistikisht shumë bukur.

Në pjesët e fundit të romanit kemi përshkrime të rrjedhës së zakonshme të jetës, evokime nga fëmijëria e protagonistes etj. Ngjarjet që rrëfehen janë të përditshme, por fatkeqësisht ajo përditshmëri është tmerruese, bazuar në të dhënat që ajo na i ofron. Detajisht, ngjarja që lidhet me ndërprerjen e kontratës së punës, rrezikon humbjen e shtëpisë e të pasurisë së Verës. Krahas kësaj ngjarje, në këto pjesë të romanit, në bazë të situatave që ndodhin, shohim se evolucioni i njeriut, në një mënyrë nuk shkon me të njëjtin hap me zhvillimet e natyrës teknologjike. Lakmia mbetet lakmi, instikti mbetet instikt, epshi mbetet epsh, etj. etj.

Protagonistja Vera, në asnjë rast nuk merret me shkaqe sociologjike, ideologjike e politike të problemeve. Ajo merret vetëm me pasojat psikologjike, që realisht i ndien më së shumti. Së këndejmi kuptohet se intriga, stresi e lodhja janë të pandara në këto rrëfime dhe i japin vulë këtyre rrëfimeve.

Pjesa e fundit e romanit, në një mënyrë shënon edhe kulmin e dramës së protagonistes se romanit, Verës. Këtu, herë pas here, kemi përshkrime të fragmentuara e të padefinuara, ndoshta, mjaftueshëm. Kuptohet, edhe ashtu është e vështirë të definohen traumat e njeriut modern. Është kështu sepse tashmë protagonistja pas një aksidenti është në komë. Po ashtu në këtë pjesë kemi një përzierje zërash e personazhesh që e shtjellojnë romanin në vazhdimësi dhe japin konotacione të ndryshme domethënëse.

Në ngjarjet e fundit që kujtohen dhe përshkruhen, emrat e personazheve në një mënyrë bartin paragjykime të caktuara, konkretisht, vetë emrat e ekzekutorëve të ideologjisë totalitare, në këtë rast komuniste (Iliaz Velia, Ramiz Duro) në një mënyrë kanë ngarkesa të caktuara figurative. Pra në këtë rast këta emra bartin ngarkesa të caktuara, ashtu siç bartin paragjykime e simbolike të caktuar edhe emrat Mark e Florian, që në këtë rast protagonistja ju jep konotacion pozitiv.

Majlinda Bregasi prek tema komplekse që askush, apo rrallë kush i prek. Romani me situatat që i paraqet është një kurorë identifikuese e mjerimit dhe e tragjedisë së njeriut modern. Pranojmë se teksti letrar lejon interpretime gjithëpërfshirëse, kuptohet të bazuara në tekstin letrar, por esenciale është se autorja na ofron argumente, bazë, mjaftueshëm për ta identifikuar fatin e pambrojtur, tragjik, të njeriut të kohës sonë, ku i humb kuptimi shumëçkaje nga kontura e kulturës çfarë ne kemi njohur deri dje, e çfarë ne kemi njohuri nga dijet tona për parimet, për moralin etj, etj.

Në pjesën e fundit, përderisa protagonistja është në komë e përderisa rrëfimi ndërtohet me aluzionin se në të gjitha ngjarjet është pjesëmarrëse edhe vetë protagonistja Vera, aty, ndër të tjera, evokohen edhe kujtime nga personazhja tjetër e romanit Rina, që është nëna e protagonistes, konkretisht për jetën e saj në kamp në Shqipërinë e kohës së komunizmit. Jeta e kampit, merret me mend si ishte, dhe autorja e thotë vazhdimisht, me punë të detyruar, me uri, me abuzues seksualë e me mjerim të pafund. Krahas ngjarjeve në kamp, në linjën tjetër vazhdon rrjedha tjetër e ngjarjeve me jetën e Emës, vajzës së protagonistes së romanit, pastaj me personazhet tjera si Gianni, Alberto e Robert Perini të cilët e rrumbullakojnë rrethin e torturës së protagonistes së romanit.

Përgjithësisht, ky roman është i shkruar me një stil shumë të bukur. Është, si të thuash, një rrëfim i kultivuar, shumë i qartë. Autorja shkruan direkt, i paraqet situatat pastër, pa ngarkesë të tepërt figurative. Të kuptohemi, autorja i zbërthen shpirtërisht me një mjeshtëri të habitshme personazhet, sidomos dhe veçmas te protagonistes Vera Vogel. Pra, lexuesit e kanë shumë të qartë sepse “e njohin” shumë mirë protagonisten Vera Vogelin.

Në disa raste protagonistja sikur tenton të krijojë paralelizma mes fatit të saj të keq dhe diktaturës komuniste në Shqipëri. Komunizmin në Shqipëri e importuan klanet ruse përmes serbëve e sllaveve të tjerë ortodoks të cilët flirtuan me klanet e pakta shqiptare, kryesisht në vendet ku komunizmi gjeti një terren më të përshtatshëm. Dhe nga ajo ideologji shkatërruese pason vuajtja, e cila në këtë roman është personale. Njeriu, shpeshherë, pa pasur mundësi të zgjedhë për fatin e vet, bëhet adresë ku pikëllimi e vuajtja shkarkohet. Ideologjitë rrafshuese, shkatërruese, jo veç komunizmi që ishte, lindin në një kohë e në një vend të caktuar. Ato u shkrepen djallëzisht në mendje autoriteteve, “kolosëve të mendimit”. Kështu, këto ide bëhen frymë që i përfshijnë të gjithë dhe, nga idetë që i bartin të mëdhenjtë me emra Karl, Fridrih, Josef e Vlladimir, kalojnë te veglat e vogla të tyre me emra; Iliaz, Veli, Ramiz, por edhe te emrat Gianni, Alberto, Robert Perini, Vera, Ema etj. të cilët në një mënyrë janë pjesëmarrës të atij konglomerati ideologjish, herë si viktima e herë si ekzekutorë. /FaktePlus

the authorBurbuqe Metolli