Aktuale

Bulliqit i kërkohet të raportojë para Komisionit për Integrime më 6 nëntor

Komisioni për Integrime Evropiane e ka ftuar kryesuesin e komisionit për Demarkacionin Shpejtim Bulliqin që më 6 nëntor të raportojë para anëtarëve të këtij komisioni për ecurinë e punës së tyre që ka të bëjë rreth shënjimit të kufirit me Malin e Zi.

Armend Zemaj, nënkryetar i këtij komisioni ka thënë për Express se Komisioni për Integrime ka vendosur ta ftojë në raportim kryesuesin e komisionit për kufirin me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi, për të raportuar mbi punën e këtij komisioni te ri.

Kjo ftesë sipas tij, po bëhet duke marrë parasysh kohën për të cilën duhet përmbushur, kushtet për liberalizim te vizave dhe përmbushjes se obligimeve nga axhenda për integrime europiane.

“Komisioni mendon se ky proces duhet të marrë një përgjigje, mos të kemi prolongim apo shtyrje për qëllime politike.. shpresoj që duhet të vij, është përgjegjësi raportimi para komisionit, ndërsa për format e raportimit do të marrim vendim në komision në bazë te specifikave të temës se trajtuar”, ka sqaruar ai.

Ndërkaq, Express ka tentuar të marrë një përgjigje prej Shpejtim Bulliqit, nëse do të marrë pjesë ose jo për të raportuar para këtij Komisioni, por që kryesuesi i komisionit për Demarkacionin, ka refuzuar të konfirmojë një gjë të tillë.

Ramush Haradinaj, qysh ditën e parë të punës së tij në zyrë e shkarkoi Komisionin Shtetërorë që udhëhiqej nga Murat Meha për të krijuar një të ri që tashmë udhëhiqet nga Bulliqi.

Përmes këtij komisioni, synohet që të sillen fakte të reja që pretendohet se me versionin aktual Kosova humb tokë./GazetaExpress/