Aktuale

I burgosurit i vë flakën dhomës së burgut në Dubravë, rrezikon veten dhe të tjerët

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të lirive të njeriut ka njoftuar se i burgosuri K. B. i dënuar për vrasje me dënim 35 vjet i cili pas rishqyrtimit i është zvogëluar në 12 vite burg i ka vënë flakë dhomës së burgut duke e rrezikuar jetën e tij por edhe të burgosurve tjerë.

Sipas informatave të KMDLNj-së, ngjarja ka ndodhur më mbrëmë rreth orës 23:50, në pavijoni II, dhoma 01 në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Stafi Korrektues ka reaguar shpejt duke i larguar të burgosurit e tjerë dhe duke i dërguar në stacionarin e burgut.

Pas kontrollit të mjekëve që kanë konstatuar se gjendja shëndetësore e të burgosurve është e mirë, ata janë kthyer në Pavijon. Për rastin në fjalë është njoftuar Policia në Istog e cila i ka filluar hetimet ndërsa i dënuar K.B. është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë. I dënuari K.B. është vizituar disa herë nga KMDLNj dhe raporti i KMDLNj –së ka rekomanduar që i dënuari K.B. të trajtohet në Q.K.U.K ngase është vlerësuar si rast psikiatrik që kërkon trajtim të vazhdueshëm në institucionet përkatëse shëndetësore shkaku se Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve nuk ka kapacitet të duhur profesional dhe as kushte për trajtimin shëndetësorë që konsiderohen si të rënda. KMDLNj pas vizitave monitoruese konstaton se Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Shërbimi Shëndetësorë i Burgjeve ka bërë aq sa ka qenë e mundur për trajtimin e të dënuarit K.B. dhe është fat i mirë që ky incident ka përfunduar pa pasoja për jetë të njerëzve , të të dënuarve por edhe stafit korrektues. KMDLNj e ripërsërit kërkesën për domosdoshmërinë e ndërtimit të një spitali për trajtimin e personave të privuar nga liria në kuadër të Institucioneve që janë nën përgjegjësi të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Shërbimit Shëndetësorë të Burgjeve i cili do të kishte kuadër të mjaftueshëm profesional dhe kushte për trajtimin e rasteve që cilësohen si të rënda”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.

Ky rekomandim i KMDLNj-së i ka këto adresa ministrit të Drejtësisë, Abelart Tahiri, ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismajli, si dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj./KosovaPress/