Rajon & Botë

Çavushogllu: Turqia dëshiron armëpushim në Siri

Turqia angazhohet për shpallje të armëpushimit në Siri para Vitit të Ri dhe dëshiron që së bashku me Rusinë të jetë garant për arritjen e paqes në këtë vend të Lindjes së Afërt, deklaroi sot ministri turk i Punëve të Jashtme Mevlut Çavushogllu.

Ai madje edhe një herë përsëriti se Ankaraja nuk do të zhvillonte negociata me presidentin sirian Bashar al Asad.

Çavushogllu dje njoftoi se përfaqësues qeveritarë turq dhe rusë kanë arritur marrëveshje për përmbajtjen e dy marrëveshjeve për Sirinë, por nuk zbuloi më shumë hollësi.

“Njëra nga to i dedikohet zgjidhjes politike të konfliktit sirian, ndërsa tjetra për ndërprerje të zjarrit. Marrëveshjet mund të hyjnë në fuqi në çdo moment”, theksoi ministri turk.

Ai konfirmoi se Aankaraja dëshiron ndërprerje të përhershme të zjarrit në gjithë Sirinë dhe tranzicion politik përmes negociatave.

Çavushogllu gjithashtu potencoi se paqe në vend, që do të prëfshinte edhe qëndrim të Asadit në pushtet, është e pamundur, për shkak se opozita këtë nuk mund ta pranojë.

Ministri turk theksoi edhe se Partia e unionit demokratik të kurdëve sirinë nuk do të marrë pjesë në negociatat midis autoriteteve në Damask dhe përfaqësuesve të opozitës, që duhet të mbahen në Astana në gjysmën e dytë të janarit vitin e ardhshëm.

Mediat turke njoftuan se Turqia dhe Rusia kanë harmonizuar plan për armëpushim gjithëpërfshirës në Siri, që parashikon ndërprerje të aksioneve luftarake. Plani duhet të vlejë për të gjithë rajonet në Siri ku po zhvillohen luftime midis forcave qeveritare dhe grupeve të opozitës së armatosur, por jo edhe për përleshjet me “organizatat terroriste”, si grupi Shteti islamik.