Ekonomi

Certifikohen mbi 50 të rinj në bujqësi dhe turizëm

Forumi për Iniciativa Qytetare – FIQ certifikoi mbi 50 të rinj nga projekti “Programi Përshpejtues në Bujqësi dhe Turizëm – ATAR”, ndërsa 25 prej tyre janë përfitues të grandeve prej 2500 euro, me çka do të realizojnë projektet e tyre për vetëpunësim.

Në përmbyllje të këtij projekti u bë e ditur se për të qenë pjesë e tij kishin aplikuar rreth 400 të rinj, ndërsa në fund janë zgjedhur 50 prej tyre, të cilët janë trajnuar për gjashtë muaj në lidhje me projektet në ndërmarrësi dhe idetë e vetëpunësimit.

Drejtoresha ekzekutive e FIQ-it, Dajana Berisha tha se ky projekt është model suksesi i cili ka arrit të krijojë ndërmarrës të rinj.

“Projekti ka ndihmua në masë të kënaqshme në vetëpunësimin e të rinjve. Ne ia kemi dal të krijojmë një rrjet të ndërmarrësve të rinj, të cilët veç sa kanë fillua të bashkëpunojnë me bizneset ekzistuese në Kosovë”, tha Berisha.

Ndërsa, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi tha se kjo ministri do të vazhdoj bashkëpunimin edhe në projekte të tilla.

“Kemi filluar të fusim në binar format e vetëpunësimit. Kemi fillua skema të tjera ku kemi përkrah bizn eset në një pagesë të pagës. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë që projektet e tilla ti masivizojmë. Ky projekt ngërthen shumë aspekte si punësimin, edukimin për ndërmarrësi dhe vetëpunësim. Me ndërmarrësi njerëzit mund t’i ndihmojnë vetës, familjes dhe vendit”, tha ministri Abrashi. /KosovaPress/