Aktuale

Çështjet e mjedisit shqetësojnë qytetarët e Kosovës

Avokati i Popullit në bashkëpunim me shoqërinë civile në Kosovë, për të tretin vit me radhë vazhduan me iniciativën e përbashkët për shënimin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Me moton “Çohu për të drejtat e njeriut”, kjo iniciativë ka për qëllim dërgimin e një mesazhi të fuqishëm për angazhim të shtuar gjithëpërfshirës dhe ndërinstitucional për promovimin dhe edukimin mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari tha se, problemet e kosovarëve vazhdojnë të jenë të lidhura me ndotjen e ajrit, ujin e papijshëm, ndërtimet pa leje, sipërfaqet e vogla gjelbëruese e shumë të tjera, e që sipas tije të gjitha këto probleme kanë ardhur për shkak se prokuroritë dhe gjykatat nuk i dhanë prioritet lëndëve që kanë të bëjnë me ambientin.

Jashari: Prokuroritë dhe gjykatat vazhdojnë të mos i japin prioritet lëndëve të mjedisit

“Prokuroritë dhe gjykatat vazhdojnë të mos i japin prioritet lëndëve që kanë të bëjnë dhe lidhen me mjedisin, ka vazhduar ndërtimi i objekteve pa u respektuar parimet në vijim, pra lartësia e lejuar në raport me lartësinë nga kufiri i parcelës kadastrale përgjatë rrugëve publike, përqindja e sipërfaqes së përgjithshme të gjelbërimit për absorbimin e reshjeve atmosferike në raport me sipërfaqen e parcelës kadastrale, kërkesat minimale për vend parkingje, e drejta e ndriçimit natyror, kufizimet e ndotjes mjedisore dhe zhurmës. Nuk ka pasur asnjë përmirësim në mbikëqyrjen e inspektimeve dhe inspektimit final. Institucionet shtetërore ende nuk kanë filluar të ndërmarrin veprime serioze për t’iu bashkangjitur iniciativës globale lidhur me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm”, tha Jashari

Jashari tha se shpreson që këto probleme do të jenw objektiv kryesor në vitin vijues dhe në pushtetin e ardhshëm, në mënyrë që të sigurojmë një ambient të shëndetshëm.

Nga shoqëria civile, Jeta Xharra tha se arsyeja pse qytetarët e Kosovës jetojnë 10 vite më pak se evropianët është për shkak të ajrit të keq që e thithim, e sipas saj të gjitha këto gjëra po ndodhin për shkak të projekteve që kanë dalw nga partitë politike.

Xharra: Ndotja e ambientit për faj të të gjitha partive   

“Arsyeja që qytetarët e Kosovës sot jetojnë 10 vite më pak se në Evropë ka të bëj kryesisht për shkak të ajrit që thithim ne sot. Pëlqimet ujore dhe pëlqimet ambientale që ju kanë dhënë projekteve më të dëmshme për ambientin, kanë filluar me u dhanë prej qeverisë PDK-LDK, kanë vazhduar me qeverinë e PAN-it, edhe sot kemi komunitete nëpër Pejë, Shtërpce, komunitete shqiptare dhe serbe që vuajnë prej lejeve të pëlqimeve ujore që ju kanë dhënë shkatërrimit të ambienteve të tyre. Në anën tjetër ky qytet qe 5 vjet është udhëheq prej Vetëvendosjes, a kemi pa hapësira më të mëdha gjelbëruese? Sot ndoshta nuk udhëhiqet prej Vetëvendosjes po 5 vjet nuk kemi pa gjithashtu iniciativë serioze as prej kësaj partie që ka me ardhë në pushtet, për me ndërru ndotjen e ajrit prej të cilës sot po vuajmë më së shumti, e 4 muajt e dimrit sidomos janë të cilat janë të pa tolerueshme sidomos në qytetet tona ku po duhet me maska me ecë, kemi filluar me pa edhe kemi me filluar secilën herë më shumë me pa njerëz tu ecë me maska sepse ndotja e ajrit është në nivel të rrezikshmërisë”, tha Xharra

Tutje Xharra tha se, rezultatet e PISA-s nuk janë të tilla vetëm për shkak të arsimit dhe të mësueseve të dobët që i kemi, po për shkak se qymyri po dëshmohet me studimet e fundit të organizatës ndërkombëtare shëndetësore se ndikon direkt në sistemin nervor.

the authorGazetaKNN