Sport

Cilat klube të Kosovës do të luajnë në Evropë?

Brenda këtij muaji do të mësohen emrat e klubeve që mund ta përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare
Nga sezoni i ri në garat ndërkombëtare, kualifikimet për Ligën e Kampionëve dhe Europa League, Kosovën pritet ta përfaqësojnë dy skuadra.

Komisioni për licencimin e skuadrave brenda Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) tashmë ka nisur punën për licencimin e klubeve.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express, Bajram Shala, menaxher për licencimin e klubeve në FFK. Ai ka bërë të ditur se me 11 maj do të mësohen emriat e skuadrave që do të licencohen për gatat ndërkombëtare.

“Komisioni i shkallës së parë të Federatës për licencimin e klubeve veç e ka nis punën e licencimit. Kurse, vendimi do të merret me 11 maj, ndërsa një ditë më vonë do të bëhet publik. Klubet e pakënaqur me këtë vendim kanë të drejtë ankese në Komisionin e shkallës së dytë”, ka deklaruar Shala.

“Por, më vonë ne kemi proces të auditimit nga UEFA për të kontrolluar dokumentacion dhe për të parë nëse janë zbatuar rregulloret. Nëse gjenden shkelje në këtë proces do të ketë pasoja për Federatën dhe Klubin i cili e ka marrë licencën”, ka theksuar ai.

Shala ka treguar se pesë skuadra janë në proces të licencimit, por Kosovën në garat ndërkombëtare do ta përfaqësojnë vetëm dy klube.

“Prishtina, Feronikeli, Llapi, Liria dhe Trepça 89, janë në proces të licencimit. Kurse, Besa e ka nisur procesin, por nuk e ka vazhduar. Të gjitha klubet mund të licencohen, por vetëm dy do të marrin pjesë në gara varësisht nga plasmani sportiv”, ka përfunduar ai.

Vitin e kaluar Kosovën në garat ndërkombëtare nuk kanë arritur ta përfaqësojnë Feronikeli si kampion i Kosovës dhe Prishtina si fituese e Kupës pasi nuk ishin licencuar nga UEFA. /Express/