Aktuale

Clinton rrëfen intervenimin në Kosovë: E dua këtë vend, është nderi më i madh në jetën time

Ish presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, mes emocionesh ka rrëfyer kohën para 20 viteve kur intervenuan për ta ndalë luftën në Kosovë dhe spastrimin etnik që po ndodhte atëherë me popullin e Kosovës.

“I falënderoj qytetarët e Kosovës për këtë mikpritje. Me pëlqen shumë dhe e dua këtë vend dhe do të jetë gjithmonë nderi më i madh në jetën time që kam qëndruar me juve kundër spastrimit etnik. E kam një fotografi në zyrën time dhe çdo ditë që qëndroj aty e kujtoj se çfarë ka qenë politika atëherë”, theksoi Clinton, shkruan FaktePlus.

Clinton ka shtuar se NATO ka qenë një triumf, kur ka ndërhyrë në Kosovë. Derisa, ka kujtuar mbështetjen e SHBA-së që nga përfundimi i luftës pavarësisht kush ka udhëhequr.

“SHBA-të kanë qëndruar pranë jush këto 20 vite pavarësisht se cila parti ka qenë në shtëpinë e bardh. Që atëherë ju keni bërë zgjedhje të lira e keni fuqizuar gjyqësorin dhe jeni vetëm një nga katër kombet e BE-së ka rritje ekonomike që nga kriza e vitit 2008. Shikoni çfarë keni përjetuar, gjithkush ka pasur dikë që iu kishte vrarë”, tha Clinton.

Ish presidenti amerikan shtoi se i pëlqen migrimi, porse dëshiron që secili i ri të ketë mundësi të jetojë këtu, të vendos për jetën e vet këtu, të fitoj këtu dhe jo diku tjetër.

“NATO e fitoj konfliktin, por ju e fituat paqen. Çfarë do të bëni në 10 vitet e ardhshme, ku dëshironi të jetë vendi juaj pas 10 vitesh. Mënyra më e mirë për t’i nderuar ata që kanë rënë është që të keni paqe të mrekullueshme”, iu drejtua Clinton qytetarëve të mbledhur në sheshin “Skënderbeu”. /FaktePlus