Sport

Crotone interesohet për Balotellin

Skuadra debutuese në Serie A, Crotone është duke e kërkuar me ngulm sulmuesin italian Mario Balotelli.

Pas një tjetër sezoni zhgënjyes me Milanin, Balotelli është rikthyer nga huazimi te Liverpooli. Mirëpo, as skuadra angleze nuk e ka ndërmend që ta mbajë sulmuesin në radhët e veta dhe është duke kërkuar ndonjë ekip i cili do ta donte në radhët e veta.

Crotone që këtë vit do të debutojë në Serie A, është duke menduar seriozisht që ta huazojë 25-vjeçarin, transmeton KosovaPress.

Në një intervistë për ‘Gazetta dello Sport’, presidenti i klubit, Rafaelle Vrenna, ka treguar se ka folur me agjentin e ‘Super Marios’, Mino Raiolan.

“I kam telefonuar Raiolas dhe i kam treguar se ne jemi shumë të interesuar për shërbimet e klientit të tij. Mendoj që Crotone është klubi i duhur ku Balotelli do të mund të rikthejë vetëbesimin e tij dhe të shfaqë potencialin e plotë që ka si futbollist”, deklaroi Vrenna.

Për Balotellin është duke u interesuar edhe skuadra tjetër e Serie A, Sampdoria.