Aktuale

Daçiq: Për Serbinë sfida më e madhe e sigurisë është Kosova

Ushtrues i detyrës së kryeministrit dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka vlerësuar rëndësinë e raporteve që ka vendi i tij me Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht disa mosmarrëveshjeve mes dy shteteve.

Ai sot gjatë ceremonisë së shënimit të 180-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, që u zhvillua sot në qytetin e Kragujevacit, nuk ka harruar radikalizmin islamik dhe në këtë kontekst ka përmendur Kosovën, si rrezikun më të madh për sigurinë e Serbisë, shkruan Tanjug, transmeton Indeksonline.

“Për Serbinë rëndësi të veçantë ka problemi në rritje i radikalizmit dhe i ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë, përfshirë këtu edhe pjesëmarrjen e shqiptarëve nga Kosova në luftërat e huaja si luftëtarë terroristë”, ka thënë Daçiq.

Ai nuk ka nguruar të thotë se “për Serbinë sfida më e madhe e sigurisë është Kosova”.

“Nuk e pranojmë pavarësinë e shpallur njëanshëm dhe konsiderojmë se zgjidhja e përhershme dhe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm me mjete politike, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, përmes dialogut neutral sa i përket statusit midis Beogradit e Prishtinës nën mbikëqyrjen e BE-së”, ka thënë Daçiq, duke shtuar se po përpiqen që në kuadër të dialogut të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura. /Indeksonline/