Rajon & Botë

Debati presidencial, befasia e Trump dhe ndërhyrja e Obamës (Foto/Video)

Në Seint-Ljuis të Mizurit debati i dytë presidencial Clinton-Trump u zhvillua në një atmosferë akuzash dhe kundërakuzash të ashpra.

Kandidatët, të cilët kur hynë nuk i dhanë dorën njëri-tjetrit si në debatin e parë, u pyetën për shembullin që ata duhet të jepnin për të rinjtë, një pyetje që nënkuptonte komentet vulgare të bëra nga zoti Trump për gratë 11 vjet më parë dhe që u publikuan të premten.

Kandidati republikan u përpoq t’i shmanget pyetjes, duke ndryshuar temë disa herë.

deb2

“Ja kush është Donald Tramp”, tha zonja Clinton. Zoti Trump tha: “Nuk jam krenar (për videon). Shihni Bill Clintonin. Të mijat ishin fjalë, të tijat ishin vepra”. “Kam respekt të madh për gratë; askush nuk i respekton gratë më shumë se unë”, tha zoti Trump.

Clinton e kritikoi ashpër rivalin. Ajo tha se nuk ishte vetëm videoja e publikuar të premten që ngre pikëpyetje nëse Trump duhet të jetë apo jo president, por edhe komentet e tij lidhur me emigrantët, myslimanët dhe çështje të tjera.

Trump tha se këto janë “vetëm fjalë” që i dëgjojmë prej vitesh. Ai e kritikoi zonjën Clinton për çështje të tjera si arsimi dhe afrikano-amerikanët, përsëri duke u përpjekur t’i shmanget pyetjes së fillimit.

deb3

Ai tha se komentet e tij të publikuara të premten ishin thjesht biseda spontane, por Bill Clinton, – tha ai, – ka qenë abuzues i grave dhe zonja Clinton i ka sulmuar këto gra. Trump kishte sjellë në sallën e debatit tre nga gratë që e kanë akuzuar zotin Clinton në të kaluarën për sjellje të pahijshme seksuale ndaj tyre.

Kur debati u përqendrua tek emailet e zonjës Clinton, Trump tha se ai do të emëronte një prokuror të posaçëm për të hetuar rivalen e tij. “Ju do të përfundonit në burg”, tha ai, duke nënkuptuar se ajo kishte shkëmbyer materiale të klasifikuara duke përdorur një server privat, kur ishte sekretare e shtetit.

Zonja Clinton e quajti “të rrezikshme” retorikën e rivalit Trump për myslimanët. “Vizioni im i Amerikës është një Amerikë ku secili ka një vend”, tha ajo. Trump u përgjigj, duke thënë se islamofobia është problem, por shtoi se SHBA kanë një problem serioz. Ai përmendi vrasjet në San Bernardino si shembull të “terrorizmit islamik radikal”.

Të pyetur për rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane, zonja Klinton tha se Rusia po përpiqet t’i ndikojë zgjedhjet në favor të zotit Trump, “ndoshta ngaqë ai e ka lavdëruar Presidentin Putin, ndoshta ngaqë synon të bëjë biznes në Moskë”. Trump u përgjigj se ai nuk ka kredi me Rusinë. “Mund të pyesni pranë qeverisë amerikane dhe ata mund t’jua thonë këtë, sepse ata i njohin fare mirë të dhënat e mia financiare”, tha kandidati republikan.

E pyetur lidhur me strategjinë për Sirinë, Clinton tha se ajo nuk do të dërgonte trupa tokësore në Siri, por do të mbante atje forca speciale. I pyetur se cila është strategjia e tij nëse qyteti Alepo bie, zoti Trump tha se në thelb Aleppo ka rënë. Ai kritikoi ashpër politikën e administratës Obama për Sirinë.

Të pyetur nëse do të jenë presidentë të të gjithë amerikanëve, kandidatët dhanë përgjigje të ndryshme: “Shumë njerëz janë të shqetësuar nëse do të kenë një vend në Amerikën e Donald Trumpit”, tha zonja Clinton. “Zonja Clinton ka një urrejtje të madhe në zemrën e saj”, u përgjigj kandidati Trump. “Ky vend nuk mund të durojë katër vjet të tjera të Barack Obamës dhe kjo do të ndodhë nëse ajo zgjidhet”, tha ai.

Në fund të debatit kandidatët u pyetën: Me gjithë retorikën e tanishme, cila është ajo gjë që respektoni te njëri-tjetri? Zonja Clinton tha se respektonte fëmijët e zotit Trump. Kandidati republikan u përgjigj se Hillari nuk dorëzohet dhe kjo është një veti e mirë. Të dy thanë se nuk ishin dakord me të gjitha gjërat e tjera të njëri-tjetrit.

Kandidatët e përfunduan debatin e ashpër me një shtrëngim duarsh.

deb5

Befasia përpara debatit

Kandidati republikan për president Donald Trump u shfaq para debatit në një konferencë shtypi me një grup grash që kanë akuzuar Presidentin Clinton në të kaluarën për sjellje të pahijshme seksuale ndaj tyre. Me daljen e tij të paparashikuar në një hotel të Seint-Ljuisit, Trump la të kuptohet se debati i së dielës do të ishte i ashpër.

Debati i dytë presidencial Trump-Clinton u zhvillua pas komenteve fyese për gratë të bëra në vitin 2005 nga zoti Trump dhe të publikuara të premten nga gazeta “Washington Post”.

Trump tha të dielën se nuk ekzistonte “asnjë mundësi” që ai të largohej nga gara për Shtëpinë e Bardhë, një muaj përpara zgjedhjeve që do të mbahen më 8 nëntor.

Hillari Clinton vazhdon të përballet me komentet e saj të botuara nga “Wikileaks”, ku tregohet se ajo shpesh përqafon një qëndrim të caktuar në publik, ndërsa privatisht mban një pozicion krejt të kundërt, për çështje të rëndësishme, si tregtia apo marrëdhënia e saj me kompanitë e mëdha të “Wall Street”-it.

Edhe anketimet e bëra përpara këtij publikimi tregojnë se një pjesë e madhe e amerikanëve vënë në pikëpyetje besueshmërinë e saj.

Obama: Trump, “i pasigurt”

Presidenti Barak Obama tha të dielën se Donald Trump është i “pasigurt” dhe “e pompon veten”, duke denigruar të tjerët.

Presidenti Obama i bëri komentet si reagim ndaj gjuhës vulgare të përdorur nga zoti Tramp në vitin 2005, kur u regjistrua në një bisedë spontane duke u mburrur se mund t’i kapte femrat nga gjenitalet, pasi ishte “i famshëm”. Një video me këto komentet e zotit Trump u publikua nga gazeta “Washington Post” të premten.

Duke bërë fushatë për anëtaren e Kongresit, Tami Dukuorth në shtetin Ilinoi, Obama tha se fjalë të tilla tregojnë se zoti Trump do të ishte “i pakujdesshëm me qytetarinë dhe respektin” që kërkon një demokraci e gjallë.

Edhe pse sondazhet tregojnë se Trump është prapa kandidates demokrate Hillari Clinton, Obama tha se rëndësia e këtyre zgjedhjeve është e tillë, që asgjë nuk duhet marrë si e garantuar.

Ai theksoi se ka rëndësi që mbështetësit e zonjës Clinton të punojnë shumë dhe të dalin në votime më 8 nëntor.

Thirrje kandidatit Trump të largohet

Një anketë me më shumë se 1500 votues e realizuar nga “Politiko.com” dhe “Morning Consult” pas publikimit të regjistrimit, tregon se rreth 70 për qind e demokratëve, por vetëm 12 për qind e republikanëve, mendojnë se Trump duhet të largohet nga gara.

Disa zyrtarë të zgjedhur republikanë i kanë bërë thirrje zotit Trump të heqë dorë nga gara për Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, nuk ka pasur konsensus se kush mund ta zëvendësonte Trumpin, nëse ai do të dëshironte të largohej.

Ndërkohë, në SHBA ka filluar votimi i hershëm dhe me postë. Vetëm ditët e fundit janë hedhur rreth 400.000 vota. Shtetet në të gjithë vendin kanë shtypur tashmë fletëvotimet me emrat Trump dhe Pence si kandidatë republikanë; ndërkaq fletët e votimit i janë dërguar personelit të shërbimit ushtarak të stacionuar jashtë vendit.

Republikanët kryesorë, duke përfshirë edhe kandidatin për nënpresident, Guvernatorin e Indianës Mike Pence, i kanë dënuar komentet e vitit 2005 të Trump.

“Unë nuk i toleroj komentet e tij dhe nuk mund t’i mbroj ato”, tha Pence, i cili anuloi një fjalim të planifikuar fushate të shtunën në Uisconsin, ku pritej të fliste në vend të zotit Trump.

Senatori i Arizonës, Xhon Mekein, ish-kandidat republikan për president në vitin 2008, tërhoqi mbështetjen e tij për zotin Trump, por nuk i bëri thirrje të largohet nga gara presidenciale. Edhe ish-guvernatori i shtetit Masaçusets, Mit Romnej, gjithashtu kandidat për president në vitin 2012, dënoi mburrjet seksuale të Trump.

Gjuha vulgare e përdorur nga Trump i vuri në vështirësi gazetat dhe mediat amerikane, të cilat nuk ishin të sigurta se si duhej t’i përshkruanin komentet e tij. Disa prej tyre i shtypën fjalët ashtu siç ishin thënë nga Trump, ndërsa të tjera përdorën eufemizma të ndryshme. /Zëri i Amerikës/