Aktuale

Dega e PDK-së në Ferizaj për arsimin: Po i rehatojnë fëmijët e partiakëve dhe akraballëkut të vet

Dega e PDK’së në Ferizaj përmes një komunikate për media ka treguar se Departamenti i Arsimit në Ferizaj po bën shkelje të rënda sa i përket regjistrimit të nxënësve në shkolla dhe se po manipulojnë me konkurset.

“Drejtoria e Arsimit në konkursin e shpallur për regjistrimin e nxënësve në klasat e dhjeta, për vitin shkollor 2016/2017, ku kishte planifikuar përfshirjen e të gjithë semimaturantëve sipas sistematizimit nëpër shkollat e mesme ekzistuese.

Kjo s’do koment se gjithçka ishte paraparë mirë e mbarë në letër, për mësysh, do të thoja kësaj here. Mirëpo s’kaloi shumë kohë dhe gjithçka nisi të përmbysej, pra me fillimin e vitit mësimor filluan manipulimet, shkelet konkursi nga vetë ata që e kishin shpallur”, shkruan në komunikatë.

Degaa e PDK’së tregon se në shkollën “Faik Konica” nga 16 paralele që ishin paraparë i shtojnë edhe dy të reja, në mjekësi “Elena Gjika” nga 4 paralele shtohet edhe një e re si dhe në “Kuvendin e Arbërit” nga 14 paralele shtohet edhe një.

“Këtyre nuk iu kanë mjaftuar këto 4 paralele të formuara jashtë konkursit për t’i rehatuar fëmijët e partiakëve dhe akraballëkut të vet, por e rrisin edhe numrin e nxënësve nëpër paralele nga 32 nxënës tani bëhen 42 e më tepër. Për momentin gjendja më e rëndë është në gjimnazin “Dr.Shaban Hashani”, ku numri i nxënënsve të klasave të 10-ta, veç e ka kaluar shifrën e 50-të.

Kjo rritje e numrit të nxënësve është bërë pa kritere, kriter ka qenë kush është më i “fortë” brenda subjektit partiak dhe ai që ka bërë pazar për vota, sepse vetëm edhe pak ditë na ndajnë nga viti i zgjedhjeve locale”, shkruan në komunikatën e PDK’së.

Kjo bashkëkeqqeverisje po i mashtron dhe po ua vjedh vullnetin në forma të ndryshme qytetarëve të vet, ky është një ogur i keq për të gjithë ata që u besuan dhe i votuan. Të bësh trysni tek prindërit dhe të manipulosh me fatin e fëmijëve për qëllime politike, kjo ështe një lojë e turpshme dhe e pafalshme. DA-ja e udhëhequr keq e më keq dhe e manipuluar nga një politikë e dëmshme ka arritur ta rrezikojë mbylljen e shkollës së agrobiznesit ”Z.Hajdini”, nga 364 nxënës që ishte paraparë të regjistrohen me konkurs, janë regjistruar më pak se 40% e tyre.

Kjo ngjet vetëm te ne, që mos t’i mbështesim dhe përkrahim shkollat profesionale që përgatisin punëtorë të kualifikuar për tregun e brendshëm dhe të jashtëm të punës.

Tani jemi në javën e fundit të tetorit dhe për çudi nuk janë shënuar ende emrat e nxënësve në ditar në gjimnazin “Dr.Sh.Hashani”, as të atyre që janë pranuar sipas konkursit, as të atyre që i ka sjellë kryetari me listë dhe DA-ja; çka do të thotë se kushdo dhe kurdo mund të hyjë në klasë si nxënës nga rruga, ku mund të krijohen situata me pasoja, pra në hall nxënësit, në hall edhe mësimdhënësit nga politika e dështuar e DA-së, as mund të punohej siç duhej, as të merrej dije siç kërkohej.

Në këtë rrafsh vetëm Qendra e Kompetencës, ka arritur ta ruajë autonominë e vet të paprekshme dhe të qëndrojë larg politikës, ka arritur me përpikëri t’i zbatojë kriteret e konkursit, kështu që është bërë shkollë model për rend e rregull dhe suksese të nxënësve.

Ngaqë gjithçka vazhdon si mos më keq, ashtu si nisi nga fillimi, ku padija dhe politika janë bërë njësh e që të dyjat kundër arsimit; kështu mund të mendojnë e të veprojnë vetëm ata me mendësi skallvi, prandaj gjendja dhe gabimet tani janë shkrirë bashkë në kurriz të shkollës sonë, shihen e preken kudo, ky është mjerimi i mjerimit, andaj me të drejtë qytetarët pyesin: a ka kush i del në ndihmë arsimit ferizajas?!”, shkruan Dega e Partisë Demoktarike në Ferizaj. /GazetaExpress/