Aktuale

Delawie: Disa individë që luftuan për liri kanë kryer krime

Ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie, në një adresim për mediat sot ka folur për Gjykatën Speciale, ku ka paralajmëruar deputetët e Kuvendit si dhe politikanët të cilët e përkrahin shfuqizimin e saj do të përballen me pasoja të rënda.

“Ky përkushtim është nën kërcënim serioz nga një nismë për ta zhbërë apo ndryshuar ligjin që autorizon Gjykatën Speciale. Kjo përpjekje paraqet shembull të tmerrshëm të rastit kur interesat vetanake mbizotërojnë mbi të mirën e përgjithshme dhe mbi interesat e Kosovës si shtet. Deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë asaj përkundër mohimit të tyre do të iu nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra. Ata e dinë këtë sepse ua kemi thënë”, ka thënë kryeamerikani në Kosovë.

Delawie ka thënë se qëllimi i themelimit të Gjykatës Speciale në Kosovë është së gjatë luftës së Kosovës, disa individë që kanë luftuar për kauzën e drejt për liri, kanë kryer krime të rënda kundër të tjerëve.

“Kosova e ka themeluar Gjykatën Speciale për të sjellë para drejtësisë të gjithë ata indvidë që janë akuzuar që kanë kryer krime kundër individëve gjatë kohës së luftës së Kosovës për liri. Gjykata Speciale nuk është për drejtësi për një vend, për një ushtri apo për një grup etnik, ka të bëjë me drejtësinë për viktimat individuale. Kosova ka luftuar një luftë në vitin 1999 dhe ne kemi qëndruar krah jush, kemi qëndruar me viktimat dhe kemi qëndruar krah drejtësisë. Askush nuk do të mundet që dikush ndonjëherë ti rishkruajë librat e historisë në fushatën e krimeve mizore të Republikës federale të Jugosllavisë. Por realiteti është se disa individë që kanë luftuar për kauzën e drejt të lirisë së Kosovës kanë kryer krime të rënda kundër të tjerëve të cilët duhet të japin llogari”, thekson ambasadori amerikan në Kosovë.

Delawie ka thënë se Kosova duhet të jetë e gatshme që të përmbyllë këtë kapitull të historisë së saj, edhe nëse kjo nënkupton që disa prej udhëheqësve të saj në kohën e luftës duhet të japin llogari.

Ai tha se Gjykata Speciale është shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara, integrimin evropian si dhe bashkimin në organizatat ndërkombëtare përfshirë NATO e BE-në.