Delawie: Shtrirja e qasjes në drejtësi është aktivitet kundër korrupsionit

Ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie, ka vlerësuar se Këshilli Gjyqësor i Kosovës në muajt e fundit ka arritur një integrim të rëndësishëm në veri duke shtrirë qasjen për të gjithë qytetarët.

E sipas tij, shtrirja e qasjes në drejtësi në vetvete është aktivitet kundër korrupsionit.

Por, ky sipas të parit të ambasadës Amerikane nuk është përparimi i vetëm i kohëve të fundit që KGJK e ka arritur, ai tha se gjykatat e kanë shtuar numrin e vendimeve të publikuara prej 85 në tre mijë gjatë gjashtë muajve të fundit dhe kjo sipas tij ndihmon në ndërtimin e transparencës dhe llogaridhënies së sistemit të drejtësisë.

“Korrupsioni e shkatërron besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në Qeverinë e tyre, nxit cinizmin, dyshimin dhe drejtësia e mohuar bëhet barrë për shoqërinë. Por, njerëzit çdo ditë po e kundërshtojnë këtë duke e shtyrë përpara reformat dhe duke promovuar qasje në drejtësi në tërë vendin. Pak para një muaji ju arritët një integrim të rëndësishëm të gjyqësorit në veri duke shtrirë qasjen për të gjithë qytetarët. Shtrirja e qasjes në drejtësi në vetvete është aktivitet kundër korrupsionit. E di që shumë prej jush sot keni punuar me shumë mund për ta mundësuar këtë të arritur”, tha Delawie.

Ai tha se KGJK po ashtu ka rifilluar vlerësimin e performancës së gjykatësve dhe tash sfida është që këto vlerësime të kenë kuptim dhe pasoja të njëmendëta ashtu që gjyqtarët të mbahen vërtetë përgjegjës.

Misioni i Këshillit Gjyqësor të Kosovës sipas kryesuesit të këtij këshilli, Nehat Idrizi është krijimi i një sistemi gjyqësor të pavarur që ofron shërbime gjyqësore të paanshme për të gjitha palët dhe është funksional në të gjitha aspektet operacionale.

Po ashtu, ai tha se vizion i tyre është një sistem gjyqësor që është i pavarur, i qasshëm për të gjithë, i paanshëm dhe efikas në punën e vet dhe i cili është në përputhje me standardet më të larta të integritetit profesionalizimit dhe transparencës.

“Në termat e efikasitetit të zgjidhjes së lëndëve Gjykata Themelore ka mbyllur më shumë se 220 mijë e 17 lëndë duke përfshirë 16 mijë e 939 lëndë që janë dy të vjetra dy vite e më tepër në kohën kur kjo përbërje e Këshillit ishte emëruar. Kjo është 7 përqind në zvogëlimin e lëndëve të vjetra nga grumbullimi i përgjithshëm prej se ne kemi filluar punën. Shkalla e spastrimit në Gjykatat Themelore është 135.16 përqind. Kjo nënkupton që gjykatat mesatarisht janë mbyllur 57 mijë e 240 lëndë më shumë sesa q kanë pranuar në nëntë muajt të vitit 2017. Neve kemi hartuar rregulloren për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve që përfshin një vlerësim të produktivitetit gjyqësor bazuar në indikatorët kyç të menaxhimit të lëndëve”, tha ai.

Kryesuesi i KGJK-së tregoi edhe katër prioritetet që do ta udhëheqin punën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2018.

E para, KGJK do të punojë për së afërmi me gjykatat dhe partnerët tanë ndërkombëtar dhe me palët tjera si dhe shoqërinë civile për të përmirësuar efikasitetin e gjykatave duke promovuar menaxhimin më të mirë të lëndëve. Me fjalë të tjera ne jemi të përkushtuar për të proceduar lëndët më shpejt dhe më mirë duke ofruar drejtësi të shpejt për qytetarët e Kosovës. E dyta, ne do të vazhdojmë të përmirësojmë performancen, llogaridhënien dhe transparencën e KGJK-së dhe të gjykatave. E treta, ne do të vazhdojmë të përmirësojnë zhvillimin në menaxhimin e politikave dhe rregulloreve të gjyqësorit dhe ti bëjmë ato më transparente dhe më efikase. E fundit, ne do të vazhdojmë të integrojmë gjykatën e veriut do të mundësojmë që të kemi kushte dhe ambient më të përshtatshëm për punë”, tha Idrizi.

Ky aktivitet është organizuar nga Programi i Forcimit të Sistemit të Drejtësisë i USAID-it dhe KGJK-ja./KP