Aktuale

Delawie uron Guvernatorin e ri të BQK-së – vazhdojeni rregullimin e sektorit financiar

Greg Delawie, Ambasador amerikan në Kosovës, ka vizituar sot Bankën Qendrore ku është pritur nga Guvernatori i ri Fehmi Mehmeti, njofton Klan Kosova.

Mehmeti e njoftoi Ambasadorin rreth zhvillimeve në sektorin financiar të vendit, duke nënvizuar rritjen e aktivitetit të këtij sektori në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit dhe shkallën e lartë të qëndrueshmërisë që gëzon ky sektor.

Ai poashtu falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën e vazhdueshme që ia kanë dhënë BQK-së që nga themelimi i saj si dhe për zhvillimin e ekonomik të vendit.

Delawie, uroi Guvernatorin Mehmeti për përzgjedhjen e tij në postin e guvernatorit dhe inkurajoi BQK-në të vazhdojë rrugën e saj në rregullimin e sektorit financiar dhe mbarëvajtjen e stabilitetit të sektorit.

Presidenti, Hashim Thaçi ka dekretuar sot emërimin e Fehmi Mehmetit në pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Dekretimi është bërë duke u bazuar në nenin 84, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, njofton BQK, përcjell Klan Kosova.

Mehmeti ka marrë 60 vota pas votimit të fshehtë që është zhvilluar në Kuvend ditë më parë.