Aktuale

Demarkacioni s’është në diskutim as javën që vjen, pozita pranon se ka problem me numrat

As këtë javë nuk do të ketë seancë të Kuvendit të Kosovës, pasi u shty për javën e ardhshme për shkak të seancës gjyqësore që do të mbahet ndaj liderit të AAK-së Ramush Haradinaj në Colmar të Francës.

Por, as në seancën që është caktuar më 11 prill nuk do të jetë për shqyrtim projektligjin për ratifikimin e Demarkacionit mes Kosovës e Malit të Zi.

Organi më i lartë ligjvënës po e pret Qeverinë që ta riprocedojë këtë projektligj, por zyrtarë të dy partive në koalicion pranojnë se mos procedimi po ndodh për shkak të problemeve me numrat.

Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti tha pas mbledhjes së Kryesisë se kurdo që vjen projektligji për marrëveshjen për Demarkacionin ata do ta shqyrtojnë. Sipas tij, ekzekutivi nuk po e riprocedon për shkak të problemeve politike, por edhe të numrave.

“Po ky projektligj nuk ka ardhur në Kuvend akoma nga Qeveria, siç e dini është tërhequr. Kur të vijë ne e kemi obligim ta shqyrtojmë në Kryesi, t’ua japim komisioneve për shqyrtim dhe të votohet ose jo në Kuvend. Kjo është mundësia jonë si Kryesi….është çështje e Qeverisë kur të vendos ta sjell ne e shqyrtojmë. Nuk e di çfarë janë pengesat në Qeveri. Se pse nuk është dërguar deri tani në Kuvend me siguri janë çështje të problemeve politike por edhe të problemit të numrit të votave, sepse disa deputetë janë deklaruar kundër”, tha Haliti.

Haliti nuk tregoi nëse do të votojë për apo kundër demarkacionit, por tha se do t’i përkrah interesat e Kosovës.

“Unë do t’i përkrah interesat e Kosovës cilat janë, të tjerat pastaj se si votojmë është çështje individuale. Kur të votoj, nëse votoj kundër do ta them publikisht pse votoj kundër, nëse votoj për do të them prapë publikisht pse po votoj për. Por kjo është një çështje për të cilat institucionet kanë rënë dakord qysh prej vitit 2011, nuk është as e djeshme, as e pardjeshme, as e kohës kur është nënshkruar, por është obligim sipas MSA-së që të bëhet edhe kjo”, u shpreh ai.

Edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri tha se nuk e dijë se kur do ta riprocedojë Qeveria në Kuvend projektligjin për Demarkacionin, derisa e pranoi se kanë probleme me votat.

“Në momentin që ne konsiderojmë që është e vërtetë Demarkacioni mund dhe do të duhej të kalonte, ai do të vijë në Kuvend. Nuk hyj pas t’iu referoj çka është thënë nga tri komisione dhe Departamenti i Shtetit amerikan rreth Demarkacionit. Ndërsa, mendoj që në kohën e duhur Qeveria do ta procedojë. Nuk mund të them kohën kur do të procedohet, por se është e nevojshme gjithë qytetarët të lëvizin lirshëm. Nuk është e mjaftueshme zyrtarët siç jemi ne të kemi mundësi t’i marrim vizat, ndërsa njerëzit që kanë nevojë mos me pas mundësi me i marr…ndërsa këtë që e shtruat punën e numrave, pikërisht ne nuk po e fshehim që kemi disa telashe në votimin e Demarkacionit nga disa deputetë”, tha Beqiri.

Partitë opozitare tashmë e kanë të qartë qëndrimin e tyre rreth Demarkacionit. Thonë se nuk do ta ndryshojnë qëndrimin kundër. Madje, vazhdojnë të kërkojnë zgjedhje meqë kjo Qeveri nuk po funksionon dhe se po dështon kryerja e temave të mëdha.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-s Pal Lekaj ripërsëriti se ky koalicion sa më parë të shkojë në shtëpi është aq më mirë për qytetarët. Ai tha se në një vizitë në Bundestagun gjerman kanë marr kritika se kjo Qeveri nuk po punon, porse kritika kanë marr edhe ata si opozitë. Sipas Lekajt, opozita ka marrë kritika për shkak të veprimeve që i ka bërë kundër Demarkacionit dhe Asociacionit.

“Mendoj që sa më parë që ky koalicion të shkon në shtëpi aq më mirë është për qytetarët e Kosovës. Sepse edhe nga vizita që patëm në Bundestag mendoj se e thanë troç se nuk janë të kënaqur me qeverisjen e Kosovës për këto dy vite. Por mund të jem real para juve, e kritikuan edhe opozitën, por më tepër përgjegjësia i mbetet koalicionit që ka dy të tretat e votave dhe nuk po mund t’i shtyn përpara proceset që janë jetike për vendin, siç janë Demarkacioni, Asociacioni, ushtria e Kosovës e shumë gjëra tjera. Prandaj ka ardhur koha që të ngrihen këto procese dhe të shkohet në zgjedhje dhe e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet…dihet për veprimet që i ka marr opozita që kemi thënë janë jo të pranueshme për vet neve, por kanë qenë të domosdoshme”, theksoi Lekaj.

Ai tha se ua kanë bërë të qartë miqve ndërkombëtarë se nuk janë kundër demarkimit, por janë kundër kësaj marrëveshje aktuale pasi që Kosova humbë territor.

Lekaj po ashtu ka thënë se do ta kundërshtojnë edhe formimin e Asociacionit, meqë nuk guxojnë të lejojnë të ndajnë Kosovën sikurse është bërë në Bosnje.

Ndërsa, deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu tha kurdo që projektligji për Demarkacionin vjen në Kuvend qëndrimet dhe veprimet e VV-s do të jenë të njëjta.

“Është lajm i mirë natyrisht për shkak se Vetëvendosje ka qëndrim të qartë sa i përket rikthimit të kësaj marrëveshje. Ne si subjekt politik konsiderojmë që marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi është marrëveshje e vdekur që nga shtatori i vitit të kaluar dhe natyrisht kjo marrëveshje nuk duhet të rikthehet në asnjë mënyrë në Kuvendin e Republikës. Sikur qeveria të ishte e përgjegjshme do t’i merrte për bazë shqetësimet e opozitës, qytetarëve dhe ekspertëve dhe do ta rikthente mbrapsht këtë marrëveshje. Kurdo që e njëjta të procedohet në Kuvend, natyrisht se qëndrimet e VV-së do të jenë të njëjta”, u shpreh Haxhiu.

Deputetja Haxhiu paraqiti shqetësimin se Kuvendi është bërë jo funksional pasi disa seanca janë duke dështuar për shkak të kuorumit. Ajo ka ripërsëritur se qëndrimi i partisë së saj është i qartë se nuk duhet të ketë ‘Zajednicë’ në Kosovë dhe do të jenë veprimet e njëjtat po që se tentohet të ndodh një gjë e tillë.

Por, shefi i deputetëve të LDK-së Ismet Beqiri, thotë se nuk është arsyeja, dështimi i disa seancave për të shkuar në zgjedhje.

“Unë mund të them me përgjegjësi të plotë se Qeveria është shumë stabile dhe nuk qëndrojnë disa arsye që i dëgjojmë dhe Qeveria po e kryen punën e saj. Dhe është Qeveri që ka rezultate që janë prezantuar në forma dhe mënyra të ndryshme dhe opinioni është i njoftuar për këtë. Sa i përket seancës, nëse një apo dy seanca dështoj të përmbyllen e tyre nuk është arsye të kërkohet zgjedhje, kjo është e paqëndrueshme”, tha Beqiri.

Beqiri tha se pa të drejtë iu është imponuar Demarkacioni si kusht për vizat, porse tashmë është e pamundshme të ndryshohet një gjë e tillë, meqë nuk është kusht që ia kanë vu vetes.

Beqiri tha se nuk e kanë pritur asnjëri prej tyre me ekzaltim çështjen e Asociacionit dhe se Gjykata Kushtetuese ka dhënë vërejtje, por se nuk ka thënë se nuk duhet formuar Asociacioni. Seanca me pikat e mbetura nga seanca kaluar do të mbahet me 11 prill./KP