Aktuale

Demolli në Stamboll merr mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në organizma ndërkombëtar

Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës Haki Demolli ka takuar në Stamboll ministrin e Mbrojtjes të Turqisë, Fikri Isik.

Në takimin e dy Ministrave, Demollit dhe Isik, u bisedua rreth bashkëpunimit të shkëlqyer në mes të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive, si dhe rolin dhe rëndësinë e këtij bashkëpunimi.

Sipas njoftimit, gjatë takimit, ministri Demolli falenderoi Ministrin turk të Mbrojtjes, për kontributin që Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Turqisë kanë dhënë dhe po japin në drejtim të zhvillimit, profesionalizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, avancimit të kapaciteteve të saj me përkrahje logjistike dhe të ekspertëve, si dhe mbështetjen në fushën e trajnimeve, shkollimeve dhe stërvitjeve të pjesëtarëve dhe njësive të FSK-së.

Gjithashtu, ministri Demolli theksoi se përkrahja, mbështetja dhe kontributi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Turqisë për Ministrinë e FSK-së dhe FSK-në është mjaft i rëndësishëm, dhe se ky bashkëpunim dhe kjo mbështetje, për të cilën ka gatishmëri nga pala turke, duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, Fikri Isik u shpreh se Ministria e Mbrojtjes së Republikës të Turqisë do të vazhdojë të ofroj mbështetje FSK-së, në rrugën e zhvillimit të saj, e gjithashtu do mbështesë Republikën e Kosovën në anëtarësimin në iniciativa dhe organizma ndërkombëtare të sigurisë. /KosovaPress/