Aktuale

Deputetët e pavarur rivalizojnë Vetëvendosjen rreth Ligjit për Referendum

Lëvizja Vetëvendosje, ka paralajmëruar në Ditën e Kushtetutës, gjatë një konference për media, që këtë javë do të procedojë nismën që me Kushtetutë të lejohet mbajtja e referendumit.

Por më të shpejtë në këtë drejtim janë treguar, ish deputetët e kësaj lëvizjeje, tash pjesë e Grupit të Deputetëve të Pavarur, njofton Klan Kosova.

“Ligji për Referendum një mundësi e re e sovranit për vendimmarrje të drejtpërdrejtë. Me mbështetjen e 11 deputetëve të tjerë të Grupit të Deputetëve të Pavarur, sot kemi proceduar Nismën Legjislative:“ Projektligji për Referendum“, ka thënë deputeti I këtij grupi, Faton Topalli.

“Me këtë projektligj do të definohen rregullat dhe procedurat për referendumet të cilat nuk janë përfshirë në Ligjin Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale të Republikës së Kosovës. Ligji rregullon shpalljen dhe zbatimin e referendumeve, dhe përcaktohen tre llojet e referendumeve: shfuqizuese, kushtetuese, dhe konsultative”, ka shkruar ai në Facebook.

“Përmes këtij projektligji vendosen praktika të vendeve të rajonit si dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Si deputet, dhe si grup parlamentar jemi të hapur ndaj të gjithë atyre që kanë interes për të ndihmuar në amendamentimin e këtij projektligji pas kalimit të tij në parim në Kuvendin e Kosovës”./Klan Kosova/