Deputetët i përgjigjen BE-së në kërkesën për mos shfuqizimin e Speciales

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë sot me anë të një komunikate për media ka kërkuar nga deputetët që kanë iniciuar që të shfuqizohet Ligji për Gjykatën Speciale.

Por deputetët nënshkrues kryesisht nga PDK-ja nuk kanë dashur të japin deklarata në lidhje me këtë çështje.

Xhavit Haliti ka thënë se pasi që nuk është nënshkrues i kësaj iniciative nuk dëshiron të flas, ndërsa deputeti Bekim Haxhiu thotë se nuk dëshiron të japë deklaratë pasi që është në pushim.

Jashtë vendit është shefi i Grupit Parlamentar Memli Krasniqi ndërsa telefonin nuk e kanë hapur deputeti Elmi Reçica, Xhevahire Izmaku, Blerta Deliu dhe deputetë tjerë.

KosovaPress e ka pasur të pamundur që të kontaktojë me iniciuesin e nënshkrimeve Nait Hasani.

I vetmi që ka folur nga PDK-ja është deputeti Nezir Çoçaj. Por ai ka thënë se pasi që Kuvendi është në pushim ende nuk janë takuar grupi i deputetëve.

“Ne jemi në pushime nuk jemi takuar me grupin e deputetëve dhe nuk jemi konsultuar për këtë çështje”, tha Çoçaj.

Derisa deputetët e PDK-së kishin votuar pro ligjit në vitin 2015, ndërsa tash kanë ndryshuar qëndrim, ata të AAK-së janë të vendosur kundër Ligjit për Specialen.

Deputetja e AAK-së Time Kadriaj tha se AAK nuk ka ndryshuar qëndrim pavarësisht kërkesave nga BE-ja dhe SHBA.

Ajo tha se nisma e deputetëve është ligjore dhe ajo duhet të shkojë në Kuvend që të votohet për ose kundër.

Sa i përket tërheqjes së iniciativës ashtu siç ka kërkuar zyra e BE-së Kadriaj nuk ka ndonjë koment pasi që siç tha ajo ende nuk kanë folur me deputetët, por edhe kjo mbetet në dorën e iniciatorit.

“Ne jemi vetëm nënshkrues, a tërhiqet a jo unë nuk kam ndonjë koment sepse nuk është në dorën tonë. Nisma është plotësisht ligjore dhe ne siç kemi qenë gjithnjë kundër formimit të Gjykatës Speciale tash e përkrahim iniciativën për shfuqizim. Nuk kemi ndryshuar qëndrim”, tha Kadriaj.