Aktuale

Deputeti dhe kryetari mohojnë fajësinë për lotsjellësin

Deputeti i Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi dhe kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj dolën sot para gjykatës për hedhje të lotsjellësit në seancat e Kuvendit.

Kurteshi dhe Muharremaj akuzohen se e hodhën lotsjellësin më 26 shkurt 2016.
“Më 26 shkurt 2016 ne sallen e Kuvendit të Kosovës kanë përdorur armen apo mjetin e rrezikshëm ashtu qe secili ka hedhur gazin lotsjellës në Kuvend”, thuhet në aktakuzë.

Në gjykatë deputeti dhe kryetari pranuan se hodhën lotsjellës, por u deklaruan të pafajshëm.

“Gazin e kam hedhur, por fajësinë për vepër penale nuk e pranoj si të tillë”, tha Bali Muharremaj.

Edhe deputeti Kurteshi mohoi se ka kryer vepër penale.

“Me datën që është shënuar në aktakuzë si deputet e kam hedhur gazin lotsjellës për arsye politike dhe konsideroj se ka qenë obligim i imi që ta mbrojë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës andaj konsideroj se nuk kam kryer vepër penale, por e kam përmbushur obligimin tim si deputet”, tha Kurteshi.

Po për hedhje të lotsjellësit në Kuvend më 3 janar janë dënuar katër deputetë të VV-së Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu e Faton Topalli, raporton kallxo.

Ismajl Kurteshi bashkë me Haxhi Shalën janë duuke u gjykuar në një proces tjetër po për lotsjellësin në Kuvend.