Aktuale

Deputetja e VV-së akuzon Veselin dhe Thaçin për vrasjen e komandant Drinit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Drita Millaku ka drejtuar akuza të rënda kundër krerëve institucionalë të Kosovës.

Madje ajo ka akuzuar presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli se kanë dhënë urdhër për vrasjen e Ekrem Rexhës, komandant Drinit, pas luftës në Kosovë.

Këtë deklaratë Millaku e ka thënë sot gjatë fjalës së saj në Kuvend ku po diskutohet projektbuxheti për vitin 2018.

“Buxheti për presidentin veç kemi një rritje prej 20 përqind, pra gjysmë milioni kemi me shumë. Çka po i duhet kjo rritje buxhetit të presidentit, ku nuk i ka mbetur asgjë tjetër veç të takohet me Vuçiqin dhe të bëjë shpërndarje të dekoratave dhe atë pa kriter. E në anën tjetër kërkesa për dekorimin e komandant Drinit rrinë në sirtarë që katër vite, pra nuk e dekoron sepse me urdhër të tij dhe me dijeni të tij e të Kadri Veselit ai është vrarë”, tha Millaku.

Ndaj fjalës së deputetes Millaku ka reaguar deputeti i PDK-së Nezir Çoçaj, i cili ia ka përmendur se nëse dëshiron fakte për këtë t’i ndihmojë vjehrri i saj për të cilin tha se ka punuar në UDB(shërbimi sekret i Serbisë).

“Drita Millaku si reja e Sylë Millakut, unë e di që Sylë Millaku ka fakte sepse ka punuar në organet e UDB-së dhe të Jugosllavisë, duhet të jetë më profesionale, është mirë me pas fakte kur thotë për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin që kanë dorë në vrasjen e komandant Drinit, një ushtarak i respektuar edhe nga Thaçi, edhe Veseli dhe gjithë ushtarët e UÇK-së që kanë qenë në Zonën e Pashtrikut ku ka qenë komandant, komandant Drini. Prandaj që nëse ka fakte, është mirë që edhe Syla t’i ndihmoj kapak, sepse Syla është vjehrri i deputetes Millaku dhe ka pasur mundësi, nëse s’iu beson organeve të Kosovës t’i besoj organeve të Serbisë dhe përmes organeve të Serbisë t’i ndjek ata persona. Sa i përket gradave për polic, unë e di që burri i deputetes me gradë është i vogël por janë procedura që i bënë Ministria dhe nuk i bënë as Hashim Thaçi, askush tjetër”, tha Çoçaj.

Debati mes Millakut dhe Çoçajt ka vazhduar edhe më tutje ku deputetja e VV-së ka folur edhe për komunën e Prizrenit, ku kandidati i VV-së Mytaher Haskuka ka fituar zgjedhjet për kryetar të komunës./KosovaPress/