Aktuale

Dëshpërohet PDK-ja, ja kënd e fajësojnë për dështimin e sotëm

Dështimi i sotëm i votimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ka ndodhur për shkak të mungesës së vullnetit nga një bllok politik në Kuvend.

Kështu ka thënë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti.

Duke folur për Gazetën Blic, Pajaziti ka thënë se rezultatet e seancës së sotme ishin dëshpëruese, për ta dhe për të gjithë qytetarët dhe miqtë ndërkombëtarë.

“Dështimi i sotëm i ratifikimit te marrëveshjes për shënimin e kufirit me malin e zi ishte mungesë e vullnetit politik të një blloku politik në Kuvend.

Ishte një rezultat dëshpërues për qytetaret tanë dhe për partneret.” ka thënë Pajaziti.

Ai ka thënë se do duhej që sot  ti paraqisnin si rezultat të arritur krerëve evropian,  ratifikimin e kësaj marrëveshje, por që nuk u arrit të bëhet për inate politike.

Pajaziti megjithatë ka thënë se tani nuk është koha për të gjetur fajtorin por për të punuar urgjentisht për ta arritur konsensusin politik në vend

“Me urgjence duhet te vazhdohen përpjekjet nga lidershipi politik e institucional i vendit për ta ri sjellur sa me shpejte në seancë  dhe për ta arritur konsensusin e votimit” është shprehur Pajaziti.

Deputeti i PDK-së ka thënë se dështimi në këtë çështje do ishte shumë serioz, dhe se nuk do i adresohej vetëm një klase politike por gjithë vendit.

“Përndryshe ky do te ishte një nga dështimet me serioze e i cili do ti adresohej shtetit tonë te ri dhe jo vetëm një grupimi politik a një lidershipi. Shpresoj ta zëmë hapin e fundit.” ka thënë Pajaziti.

Sot u tentua për herë të tretë, që marrëveshja për kufirin me Malin e Zi të hidhej në votim, por njëjtë sikurse dy herët e kaluara edhe në këtë thirrje, mungesa e votave e dështoi seancën/GazetaBlic/