Rajon & Botë

Dështon seanca e gjykimit për terrorizëm

Seanca e gjykimit të 11 persona për terrorizëm dhe armëmbajtje pa leje nuk është zhvilluar.

Sot ishte paraparë të mbahej seanca ndaj 11 personave të akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste dhe armëmbajtje pa leje, por ajo nuk është zhvilluar.

Trupi gjykues mungoi në këtë seancë, prandaj nuk kishte kushte që ajo të zhvillohej.

Edhe seanca tjetër e këtij gjykimi e zhvilluar më 21 prill të këtij viti ishte ndërprerë, ngase prokurori nuk ua kishte siguruar provat avokatëve të të akuzuarve.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë më datën 7 maj 2015 ndaj Hadi Nurës, Besim Shabanit, Betim Ibrahimajt, Adil Bushit, Egzon Latifit, Jetmir Bushit, Artan Kadriut, Bekim Halilit, Zijadin Berishës, Jeton Hajdinit dhe Kujtim Bytyqit.

Dhjetë të parët akuzohen për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, ndërsa Kujtim Bytyqi për armëmbajtje pa leje.

Edhe Bekim Halili e Zijadin Berisha, përpos për pjesëmarrje në grupe terroriste akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Në seancat e kaluara, Artan Kadriu, Betim Ibrahimaj, Adil Bushi dhe Zijadin Berisha kanë pranuar fajësinë për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Ndërsa Kujtim Bytyqi e Bekim Halili kanë pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.