Aktuale

Detajet e policisë për sulm ndaj Konsullatës Turke në Prizren

Më datë 28 nëntor 2016, rreth orës 04:20, Policia e Kosovës në Rajonin e Prizrenit ka pranuar informacionin se disa persona të dyshuar kanë hedhur mjete të dyshuara (koktej mollotovi) në objektin e Konsullatës turke në Prizren dhe kanë ikur në drejtim të panjohur.

Siç njofton policia, nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar gjatë këtij sulmi, përderisa ka pasur disa dëme të vogla materiale.

Policia e Kosovës, thotë se në koordinim me të gjitha njësitë tjera relevante të rajonit të Prizrenit dhe prokurorinë ka ndermarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar në këtë rast.

“Njësitet e forenzikës kriminalistike të Policisë së Kosovës kanë bërë ekzaminimet e nevojshme në  vendin e ngjarjes duke u bazuar në dëshmi dhe video inqizime relevante për procedim sa më profesional të rastit, zbulimin e tij dhe identifikimin e kryesve të përfshirë”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Në vendin e ngjarjes si dëshmi janë sekuestruar: Një shishe qelqi e tymosur e pa thyer, ngjyrë e kaftëcopëza qelqi të thyera në vend të ngjarjes si dhe një pjesë e kupëzës së betonit dhe dëshmi tjera relevante lidhur me rastin.

Policia e Kosovës, respektivisht hetuesit rajonal policor pas një hetimi të shpejtë dhe profesional duke u bazuar edhe në analizimin e kamerave të sigurisë në teren kanë arrit që t’a identifikojnë automjetin e dyshuar të involvuar në rast (tipi dhe targat e automjetit të njohura për Policinë), dhe të njëjtin e kanë ndaluar në rrugën ” Edit Durham” në Prizren.

Gjatë kontrollit në automjet janë identifikuar tre personat e dyshuar të përfshirë në këtë rast.

Policia ka konfiskuar për ekzaminim edhe automjetin e dyshuar si dhe në funksion të mbledhjes së informacioneve dhë dëshmive tjera janë realizuar bastisje në katër lokacione të ndryshme, me ç’rast për në polici janë shoqëruar edhe dy persona tjerë të dyshuar.

Gjithsejtë pesë persona të dyshuar janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit kompetent të njëjtëve iu është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore./KosovaPress/