Opinione

Dhuna ndaj gruas po na shndërron në shoqëri pasive që e pranojmë dhunën

Në nivel global 1 në 3 femra kanë një eksperiencë në dhunën psikike ose seksuale nga partneri i tyre intim, si dhe është vlerësuar se 35 për qind e grave në mbarë botën kanë përjetuar dhunë seksuale intime dhe fizike ose dhunë seksuale nga një jo-partner në një pikë në jetën e tyre.

Ndërsa në Kosovë çdo vit ka arritje të fenomenit të dhunës në familje e cila njëherit konsiderohet si ndër problemet dhe sfidat më madhore të shoqërisë kosovare. Ky problem shpërfaq një mesatare të rasteve të dhunës në Kosovë mbi 1000 raste brenda vitit.

Kështu ka deklaruar në një intervistë për FaktePlus sociologu Ferdi Kamberi.

Sipas tij, mungesa e një komunikimi të mirëfilltë mes bashkëshortëve, pastaj tolerimi i dhunës nga ana e vetë viktimave si rezultat i mungesës së një pavarësie ekonomike, sepse gratë në pjesën më të madhe të rasteve varen kryesisht nga burrat, janë ndër shkaktarët kryesorë të dhunës.

Kamberi liston edhe disa faktorë tjerë, duke shtuar se rastet e shumta të dhunës të cilat janë shfaqur së fundmi, kanë dhënë një alarm për shoqërinë kosovare dhe për institucionet se nëse vazhdohet me këtë ritëm, do të prodhojmë një shoqëri pasive dhe një shoqëri të dhunshme, e cila askujt nuk i konvenon.

Prandaj, duke e parë këtë problematikë, së pari institucionet e Kosovës këtë fenomen e kanë vendosur edhe në kuadër të Kodit Penal të Kosovës, ku parashihen edhe dënime të ndryshme dhe të larta, por kjo gjithsesi se ka ndikuar edhe tek një vetëdijesim për raportimin e saj.

Shoqëria, thotë tutje Kamberi, duhet të çlirohet nga kompleksi i inferioritetit dhe për problemet e saj në familje duhet të komunikojë me psikologë, sociologë apo edhe me qendrat për punë sociale, në mënyrë që sado-kudo të minimizohen problemet dhe pasojat.

FaktePlus: Rastet e dhunës në familje janë çdo ditë e më shumë prezente në familjet kosovare?

Kamberi: Nëse shëtisim në retrospektivën e historisë do të shohim se historia e njerëzimit është e karakterizuar për konflikti dhe konsenzuesi. Kur flitet për konfliktin, zakonisht për të mendohet si për diçka negative, forcë shkatërruese, dezintegruese, shthurje raportesh sociale, si e huaj për ne, e të tjerë. Sipas MartinList “konflikti është rrethanë sociale me të paktën dy palë pjesëmarrëse (individë, grupe, shtete), të cilët ndjekin qëllime të ndryshme dhe kanë pikënisje të parakordueshme ose synojnë të njëjtin qëllim, të cilin mund ta arrijë vetëm njëra prej palëve, dhe për arritjen e një qëllimi të caktuar duan të përdorin mjete të ndryshme që në pikënisje të parakordueshme”. Pra, konfliktet janë pjesë e shoqërisë, burojnë nga ajo dhe e përcjellin atë vazhdimisht në të gjitha stadet e jetës. Dhuna është rezultat i konfliktit e konflikti është rezultat i mosmarrëveshjeve. Mosmarrëveshjet janë pasojë e akcesit të gabueshëm në vlerësimin e dallimeve. Një ndër sociologët e njohur Emil Dyrkem dhunën e sheh si problem shoqëror i pashmangshëm në analizën sociologjike, duke aluduar se dhuna në fakt është një dukuri e veçantë shoqërore e cila del nga brendia shoqërisë dhe përcjell zhvillimin e saj në të gjitha segmentet dhe të gjitha etapat e zhvillimit.

Andaj, mund të themi se dhuna si fenomen shoqëror konsiderohet si një nga dukuritë më të vjetra të njerëzimit e cila është manifestuar përmes formave dhe mënyrave të ndryshme. Në kontekstin sociologjik formë e dhunës konsiderohet edhe dhuna në familje e cila buron nga shoqëria dhe e përcjellë atë (shoqërinë) stad pas stadi. Në nivel global disa studime flasin se “1 në 3 femra kanë një eksperiencë në dhunën psikike ose seksuale nga partneri i tyre intim., si dhe është vlerësuar se 35 përqind e grave në mbarë botën kanë përjetuar dhunë seksuale intime dhe fizike ose dhunë seksuale nga një jo-partner në një pikë në jetën e tyre. Megjithatë, disa studime kombëtare tregojnë se deri në 70 përqind e grave kanë përjetuar dhunë fizike dhe / ose seksuale nga një partner intim gjatë jetës së tyre (http://ëëë.unëomen.org/en/ëhat-ëe-do/ending-violence-against-ëomen/facts-and-figures).Ndërsa, në Kosovë shohim se çdo vit kemi një rritje të fenomenit të dhunës në familje e cila njëherit konsiderohet si ndër problemet dhe sfidat më madhore të shoqërisë kosovare. Ky problem shpërfaq një mesatare të rasteve të dhunës në Kosovë mbi 1000 raste brenda vitit, ku viktimë kryesisht janë gratë dhe fëmijët, megjithëse në disa raste nuk përjashtohen as burrat.

FaktePlus: Sipas jush, pse po shtohen rastet e dhunës në familje?

Kamberi:Në dioptrinë sociologjike, rastet e dhunës në familje mund të përfshijnë një sërë faktorësh të ndryshëm, të cilët burojnë nga motive psikologjike të jashtme dhe ato të brendshme. Ndaj, disa nga faktorët/shkaqet e dhunës në familje mund t’i nënvizojmë: mungesa e një komunikimi të mirëfilltë në mes të bashkëshortëve e cila për fat të keq tek ne shpeshherë mungon, pastaj tolerimi i dhunës nga ana e vet viktimave si rezultat i mungesës së njëpavarësie ekonomike, sepse gratë në pjesën më të madhe të rasteve varen kryesisht nga burrat. Faktorë të tjerë janë: mungesa e pavarësimit ekonomik të gruas me rastin e ushtrimit të dhunës ndaj saj, faktorët socio – ekonomik, ku kemi një papunësi të lartë e cilaka prodhuar varfëri të lartë, pastaj faktorët tjerë individual si: përdorimi i alkoolit, drogës, stresi në punë dhe instrumentalizimi i atij stresi në shtëpi, ndikimi i mediave duke shpërfaqur filma të dhunshëm, të cilat kanë ndikim në psikikën e individit për të imituar dhe ushtruar dhunë në familje, stresi post-traumatik i cili zakonisht shpërfaqet tek ato vende që kanë pasur konflikt pas një periudhe 10-15 vjeçare, gjë që tek ne është goxha i lartë, megjithëse shumë pak trajtohet. Faktorë të tjerë janë edhe prezenca e armëve në duar të qytetarëve, periudha e tranzicionit e cila ka shkaktuar krizën e vlerave dhe kjo e fundit ka prodhuar krizë të identitetit, mentaliteti i cili akoma vazhdon që sidomos gruan ta sheh vetëm si objekt i shfrytëzimit seksual dhe jo autoritet i barabartë me mashkullin, si dhe faktorë të tjerë.

FaktePlus: Këto nuk po përfundojnë vetëm në dhunë, meqë po vazhdojnë në tentim-vrasje?

Kamberi:Një shoqëri e cila toleron dhunën, ajo në fakt ështëedhe pjesë e saj. Në këtë kontekst, mund të themi se përderisa një pjesë e viktimave njoftojnë organet gjegjëse dhe ato në disa raste neglizhohet situata, atëherë një gjë e tillë i jep kurajo dhunuesit të viktimës (ushtruesit të dhunës) dhe atë e bënë ushtrues të pushtetit të dhunës ndaj gruas dhe fëmijëve, dhunë kjo që mund të përfundojë më pasoja fatale siç është tentim – vrasja dhe vrasja. Nuk janë të rralla rastet, kur së pari është ushtruar dhunë ndaj grave dhe pastaj ato janëmbyture, ku rastin e fundit e kemi në komunën e Gjakovës.

FaktePlus: Kjo situatë a ka të bëjë me traumat e luftës, ndonëse tani kanë kaluar 20 vjet që nga lufta në Kosovë?

Kamberi:Studimet në fushën e psikologjisë sociale, tregojnë se stresi post – traumatik zakonisht ndodhë në ato vende të cilat kanë pasur konflikte/luftëra dhe ai ndodhë në një periudhë 10 -15 apo 20 vjeçare pas përfundimit të konfliktit. Nëse analizojmë me kujdes rastet e dhunës dhe raportin e tyre me faktorët dhe moshën, do të shohim se pjesa më e madhe e rasteve të dhunës janë të moshës 25 – 45 vjeçare, gjë që tregon kjo moshë në kohën e shpërfaqjes së luftës në Kosovë ka përjetuar mjaftë trauma, megjithëse nuk mungojnë edhe faktorë të tjerë, të cilët i cekëm më lartë.

FaktePlus: Mendoni se mungesa e perspektivës jo vetëm e gruas, por edhe e burrit, ndikon në këtë situatë?

Kamberi: Në kontekst filozofik, perspektiva do të thotë një rrugë pragmatike, një rrugë me vlerë, ambicie dhe arritje, të cilën gjatë zhvillimit jetësor dëshiron që të arrish. Në Kosovë, mund të shohim se çdo herë e më tepër qytetarët ankohen për mungesën e një besimi ndaj institucioneve të vendit dhe mungesën e një perspektive, një orientimi gjithë shoqëror i cili do të ndikonte në një mirëqenie të përgjithshme të shoqërisë. Si rezultat i kësaj kemi edhe një numër rekord të migrimeve çdo vit dhe nëse vazhdohet me këtë ritëm atëherë, Kosova do të ketë një numër të vogël të banorëve. Andaj, mungesa e një perspektive gjithë shoqërore mund të jetë faktorë i dhunës në familje, duke përdorë këtë mungesë perspektive si instrument për shpërfaqje të dhunës.

FaktePlus: Kushtet e rënda socio-ekonomike a janë po ashtu një faktor tjetër që ndikon në ushtrimin e dhunës në familje?

Kamberi: Sociologët qysh herët kanë analizuar dhe shtjelluar fenomenologjinë e dhunës, pabarazive tjera shoqërore, si dhe kanë ardhur në përfundim se faktorët socio – ekonomik, si dhe mungesa e një mirëqenie sociale, mund të jenë faktorë kruacial në shfaqjen e fenomenit të dhunës. Dhuna në fakt buron prej shoqërisë dhe e përcjellë atë (shoqërinë) hap pas hapi, andaj në rastin e Kosovës kemi rreth 35% papunësi tek të dy gjinitë dhe tek moshat e ndryshme, atëherë ajo shërben si indikatorë për shfaqje të dhunës në familje.

Pasojat e dhunës mund të jenë të mëdha dhe të pa parashikuara, sepse kemi të bëjmë me gratë dhe fëmijët të cilët janë shtyllë e shoqërisë dhe disa nga ato pasoja mund të jenë: pasojat shëndetësore, që përfshinë: sëmundjet e ndryshme, thyerje të ndonjë kocke të trupit, mavijosje të fytyrës, probleme kardiovaskulare, etj, pasojat janë psikike, që përfshinë: stresin e vazhdueshëm i cili mund të ndikon negativisht në metabolizmin shoqëror, depresionin e thellë, vuajtjet, si dhe pasoja të tjera. Pasojat sociale, që përfshijnë: hermetizimin social, shmangien e kontakteve shoqërore, mungesën e integrimit shoqëror, linçimin nga rrethi, pasigurinë sociale, si dhe pasoja të tjera.

FaktePlus: Pastaj raportimi i këtyre rasteve nga gratë deri tani nuk është bërë në mase të madhe, por ka tendencë të ndryshimit të kësaj situate?

Kamberi:Rastet e shumta të dhunës të cilat janë shfaqur së fundi, kanë dhënë një alarm për shoqërinë kosovare dhe për institucionet se nëse vazhdohet me këtë ritëm do të prodhojmë një shoqëri pasive dhe një shoqëri të dhunshme e cila askujt nuk i konvenon. Prandaj, duke parë këtë problematik, së pari institucionet e Kosovës këtë fenomen e kanë vendosur edhe në kuadër të Kodit Penal të Kosovës ku parashihen edhe dënime të ndryshme dhe të larta, por kjo gjithsesi se ka ndikuar edhe tek njëvetëdijesim për raportimin e saj. Një shtytje tëmadhe këtij vetëdijesimi i kanë dhënë edhe organizatat e shoqërisë civile dhe komuniteti përmes kampanjave të ndryshme, organizimit të tryezave, zhvillimit të diskurseve në media, si dhe promovimit të aktiviteteve tjera të cilat kanë pasur të bëjnë me këtë vetëdijesim. Pra, mund të themi se vërehet se ka një tendencë të ndryshimit të situatës sidomos me rastet e raportimeve, megjithëse akoma qëndrojmëlarg një vetëdijesimi më të lartë shoqëror. Për këtë me siguri se ka nevojë që ende si shoqëri të emancipohemi dhe të ngritemi.

FaktePlus: Po institucionet përgjegjëse për ofrimin e sigurisë, institucionet shtetërore si i shihni në këtë rrafsh?

Kamberi:Shteti konsiderohet si një mekanizëm institucional i cili është i aftë që të qeverisë dhe të ofroj siguri për të gjithë qytetarët e tij përmes mekanizmave të instaluar. Kështu që, institucionet shtetërore janë edhe përgjegjës për sigurinë e qytetarëve dhe për këtë qëllim ata duhet të kenë politika publike (strategji/plane) për ngritjen e vetëdijes shoqërore dhe minimizimin e rasteve të dhunës në familje. Deri më tani, rastet kanë treguar se institucionet e sigurisë disa here kanë neglizhuar thirrjet e ndihmës ose ankesave nga gratë, ku pastaj ato kanë përfunduar me tentim vrasje ose vrasje. Në këtë drejtim, konsiderojmë se institucionet e vendit duhet të jenë më fleksibël ndaj rasteve të tilla dhe duhet reaguar në mënyrë sa më të shpejtë më herët se sa të bëhet vonë, sepse tek e fundit ata janë edhe përgjegjës për çështjet e sigurisë.

FaktePlus: Sa janë të sigurta Qendrat strehimore për gratë që i raportojnë këto raste apo që janë objekt i dhunës?

Kamberi: Me rastin e ushtrimit të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve, shpeshherë viktimat si rezultat i mos gjetjes së një vendi për të shkuar, kryesisht shkojnë në qendrat e strehimoreve në një periudhë prej 3-6-9 – 12 muaj dhe në raste të veçanta edhe deri në 3 vite ato strehohen në këto qendra. Normalisht që ekziston një siguri në këto qendra, megjithëse qëndrimi i tyre nuk është stabil, sepse pas kësaj periudhe viktimat nuk kanë zgjidhje tjetër ose t’i lënë fëmijët (nëse kanë) ose t’i kthehen bashkëshortëve, që në rast të kthimit shpeshherë ekziston mundësia e hakmarrjes.

FaktePlus: Çfarë ndodh me ato gra pasi të shkojnë në qendra të tilla?

Kamberi:Bazuar në përvojat e shteteve të zhvilluara, viktimat e dhunës në familje kanë programe të veçantë për ri-socializimin e tyre dhe integrimin e tyre në shoqëri, sepse nuk është e lehtë që tëpërjetosh dhunën dhe të shohësh botën kolor. Andaj, duke marrë parasysh përjetimet e dhunës, viktimat trajtohen dhe iu ofrohen programe të ndryshme, në mënyrë që të integrohen. Tek ne në bazë të informatave të cilat i posedojmë, akoma mungojnë programe të tilla, megjithëse edhe qendrat për punë sociale ofrojnë disa nga këshillimet që mund të jenë të dobishme për viktimat.

Në minimizimin e këtij problemi duhet që institucionet e vendit bashku me akterët tjerë si OJQ, mediat dhe akterë të tjerë të jenë më rigoroz në zbatimin e legjislacionit në fuqi, pastaj është më se e nevojshme që të ketë vetëdijesim për shoqërinë mbi natyrën e dhunës në familje, problemet dhe sfidat. Mediat, në njërën mund të kenë ndikim në promovimin e kampanjave vetëdijesuese për këtë fenomen dhe në anën tjetër, përmes emisioneve, shkrimeve, apo kronikave të ndryshme mund të luajnë një rol me rëndësi po ashtu në vetëdijesimin gjithë shoqëror. Shoqëria duhet të çlirohet nga kompleksi i inferioritetit dhe për problemet e saj në familje duhet të komunikojë me psikolog, sociolog apo edhe me qendrat për punë sociale, në mënyrë që sado kudo të minimizon problemet në fjalë dhe pasojat.