Aktuale

Diplomimi i policëve të rinj, shpërndarja e tyre nëpër rajonet e Kosovës

Pas një trajnimi tetë mujor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, kanë diplomuar edhe 416 kadetë të rinj të Policisë së Kosovës. Këta pjesëtarë nga gjenerata e 54 tashmë kanë nisur punën në rajone të ndryshme të Kosovës.

Kadetët e rinj të cilët do ta kenë para tyre misionin e mbrojtjes dhe sigurisë së qytetarëve, i janë përveshur punës në teren në disa rajone të Kosovës.

Ndonëse shumë stacione të Policisë së Kosovës, kanë numër jo të mjaftueshëm të pjesëtarëve të policisë, gjenerata e sapodiplomuar, do të shpërndahet vetëm në disa qendra në nivel vendi.

Këtë e kanë konfirmuar nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, e cila nuk ka treguar numrin e saktë se sa pjesëtarë të gjeneratës së 54-të do t’i ketë secili stacion policor.

Nga policia është pohuar se pjesëtarët e rinj do të angazhohen varësisht nga kërkesa dhe nevojat operacionale dhe nevojës së strukturës organizative.

Drejtoria rajonale e Prishtinës, Mitrovicës dhe ajo e Ferizajt, janë qendrat të cilat do të rrisin numrin e tyre të pjesëtareve të Policisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës, shpërndarjen e personelit e bënë duke u bazuar në nevojat operacionale policore si dhe nevojës së strukturës organizative të Policisë së Kosovës. Andaj edhe zyrtarët policorë të gjeneratës së fundit (54-të) janë shpërndarë sipas nevojës së strukturës organizative policore, duke përfshirë caktimin e tyre ne DRP Prishtinë, DRP Gjakovë, DRP Mitrovicë, Jugu dhe DRP Ferizaj”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga Zyra për Informim e Policisë.

Ndryshe Policia e Kosovës po vazhdon të përgatisë gjeneratën tjetër të kadetëve të rinj. Kjo organizatë parasheh që këtë vit të angazhoj mbi 800 policë të rinj.

Policia e Kosovës ditë më parë ka shënuar 20 vjetorin e themelimit. Kjo organizatë nisi punën më 6 shtator të vitit 1999, kur Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur Shkollën e Policisë dhe ka filluar trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Gjenerata e parë e kandidatëve për pjesëtarë të këtij Shërbimi filloi trajnimin në këtë qendër më 6 Shtator 1999. Kjo gjeneratë numëroi 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës si policët e parë të këtij shërbimi.

E tani 20 vjet pas, nga 176 pjesëtarë, Policia e Kosovës i numëron gati 9 mijë pjesëtarë. Saktësisht policia ka 8 mijë e 900 e 45 pjesëtarë./FaktePlus