Kuriozitete

Disa ishuj rusë shpallin gjendje emergjente për shkak të “pushtimit” nga arinjtë polarë

Autoritetet ruse e kanë dërguar një grup të specialistëve në një rajon të largët për t’i qetësuar dhe për t’i larguar disa arinjë të uritur polarë, të cilët i kanë rrethuar njerëzit që jetojnë në një grup ishujsh.

Ky vendim u mor pasi zyrtarët në arkipelagun “Novaya Zemlya”, në të cilin banojnë rreth 3 mijë banorë, kërkuan ndihmë nga autoritetet qendrore. “Nuk jemi përballur asnjëherë më parë me një numër kaq të madh të arinjve. Ata i kanë ndjekur njerëzit”, tha Zhigansha Musin, udhëheqëse e administratës lokale.

“Njerëzit janë të frikësuar dhe nuk po guxojnë të dalin nga shtëpitë e tyre. Prindërit nuk kanë vullnet t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla dhe çerdhe”, tha zëvendëskryetari i këtij rajoni, Alexander Minayev. Për këtë arsye, autoritetet e kanë shpallur gjendjen emergjente.

Në disa pamje të publikuara, arinjtë polarë janë parë duke kërkuar ushqim në mbeturina, ndërsa përpjekjet e banorëve për t’i frikësuar arinjtë me bori të veturave dhe me qen kanë dështuar.

Në Rusi, arinjtë polarë konsiderohen kafshë të rrezikuara nga zhdukja dhe vrasja e tyre me armë është e ndaluar me ligj. Sidoqoftë, autoritetet thonë se mund të jenë të detyruara ta bëjnë një përjashtim nga ky ligj, nëse dështojnë përpjekjet tjera për t’i larguar kafshët, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

the authorBurbuqe Metolli