Aktuale

Disa lagje të Prishtinës do të mbesin sot pa ujë

Disa lagje të Prishtinës do të përballen me ndërprerje të ujit gjatë ditës së sotme.

Në një njoftim të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, thuhet se ndërprerjet e furnizimit me ujë do të ndodhin në periudhën kohore nga ora 11:00 deri në orën 18:00.

Ndërprerje të furnizimit me ujë do të kenë lagjia Velania, Dodona, Sofalia, Kolovica, Tasligje, Vreshta, Ulpiana, Lagja e Spitalit dhe Muhaxhirët.

Arsyeja e ndërprerjes së furnizimit me ujë të pijshëm , janë punimet teknike që do të realizohen nga ekipet e KUR ”Prishtina” në lagjen ”Velania” në Prishtinë, konkretisht ndërrimi i gypit kryesor të ujit të pijshëm, me diametër fi 530 mm në rezervuarin e “Mirditës”.

“Duke e cilësuar si arterie kryesore e furnizimit me ujë të pijshëm për më shumë se 30% të kryeqytetit, ndërrimi i këtij gypi po bëhet për shkak të vjetërsisë së tij, derisa po vendoset gyp i ri.

Kërkojmë mirëkuptim nga konsumatorët e lagjeve të sipër përmendura”, thuhet në njoftim./KosovaPress/