Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur

Shkruan: Florian Dushi

Lufta në Kosovë ka përfunduar tash e tetëmbëdhjetë vite më parë. Por, jo edhe vuajtjet që i janë shkaktuar familjeve tona nga një regjim kriminal që kishte kryer krime me përmasa gjenocidale ndaj popullit shqiptar në Kosovë.

Në ditën ndërkombëtare të personave të zhdukur, Kosovës i mungojnë edhe mbi 1600 persona të cilët gjatë luftës, ose ishin marrë, transportuar e vrarë diku në Serbi, ose ishin vrarë e transportuar kufomat e tyre atje, gjithë kjo, sa për të fshehur gjurmët e veprimeve kriminale të një regjimi fashist.

Qeveritë e Serbisë, të cilësuara shpesh edhe si “demokratike” por të ndërtuara nga eksponentët kryesor të regjimit që kreu gjithë këto krime në Kosovë në fund të viteve të ’90-ta, kanë refuzuar bashkëpunimin dhe dhënien e informacioneve të cilat pastaj do të ndihmonin në gjetjen e trupave të këtyre shqiptarëve të vrarë e të masakruar nga forcat serbe. Qeveria aktuale e Serbisë ndërsa, duhet që më urgjencë të ofrojë gjithë të dhënat të cilat me siguri i posedon me qëllim që çështja e personave të zhdukur të zgjidhet përfundimisht. Ajo duhet të ndaloj të aktroj të pafajshmin dhe të painformuarin lidhur me këtë temë kaq të ndjeshme për familjet e të të rrëmbyerve por edhe për popullin e Kosovës në përgjithësi.

Bashkësia ndërkombëtare, sidomos pjesa e cila po lehtëson “relaksimin” e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, duhet ta ketë të qartë se nuk mund të bëhet fjalë për asnjë lloj “relaksimi” të mirëfilltë të këtyre raporteve pa zgjidhjen e kësaj çështjeje, prandaj, ajo duhet të shtoj presionin mbi qeverinë serbe me qëllim të zbardhjes së fatit të këtyre personave por edhe ndëshkimin e atyre që kryen këto krime kaq makabre.

Ndërsa familjet e qytetarëve tonë të rrëmbyer, meritojnë respektin më të madh, deri në përulje, të të gjithë neve, për shkak të qëndresës së tyre por edhe të angazhimi të tyre në kuadër të institucioneve por edhe personal në zbardhjen e fatit të të rrëmbyerve, rrethanave dhe të personave që kryen këto krime në Kosovë.