Doli numri më i ri i revistës shkencore THESIS, me punime nga konferenca “Media midis infomacionit masiv dhe marrëdhënieve me publikun”

Doli nga shtypi numri më i ri i revistës kërkimore-ndërkombëtare THESIS, me ISSN dhe Bord Ndërkombëtar, botim i Kolegjit AAB. Në këtë numër tematik janë përfshirë punime nga Konferenca Shkencore Ndërkombëtare për komunikimet dhe studimet mediatike,“Media midis infomacionit masiv dhe marrëdhënieve me publikun”. Kjo konferencë u organizua nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit, FHF, Universiteti i Tiranës dhe Fakulteti i Komunikimit Masiv, Kolegji AAB, më 19 dhjetor 2016 në Tiranë.

Siç thuhet në editorialin e këtij numri, konferenca “Media midis infomacionit masiv dhe marrëdhënieve me publikun”, kishte për qëllim që të thellojë studimet empirike dhe teorike në mjedisin mediatik shqipfolës, nga perspektiva e lidhjes midis informacionit masiv në media nga njëra anë dhe, praktikave të marketingut e marrëdhënieve publike, nga ana tjetër.

Në konferencën në fjalë ishin prezantuar 36 kumtesa, por në revistë nuk janë përfshirë të gjitha. Revista ka afër 400 faqe, në shqip dhe anglisht.

Numrin e ri të revistës mund ta merrni në bibliotekën dhe librarinë e AAB-së, dhe mund ta shfletoni gjithashtu edhe në uebfaqen zyrtare të Kolegjit AAB:

Kliko KËTU për ta shfletuar numrin e ri të revistës THESIS